Meta nga Saranda: Më 25 prill, nuk do guxojë njeri të prekë votat e qytetarëve!

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, deklaroi nga Saranda se më 25 prill, nuk të do guxojë njeri të prekë votat e qytetarëve!

“Nuk do të ketë klimë të rënduar pas 25 prillit, por do të ketë klimë të përmirësuar pas asaj dite që unë e vlerësoj si referendum të popullit shqiptar për të rivendosur demokracinë dhe rendin kushtetues. I garantoj të gjithë se askush nuk do të guxojë të prekë votën e një qytetari të Sarandës dhe të gjithë qytetarëve të Shqipërisë. U bëj thirrje të gjithëve të votojnë kundër çdo force politike që u bën presion qytetarëve me vendin e punës apo me bukën e gojës, dhe të ndëshkojnë te kutia e votimit ata që përdorin instrumente të pandershme për të imponuar qytetarët shqiptarë. Të ndëshkojë më ashpër ata që do përpiqen të ofrojnë para për vota, sepse dinjiteti i qytetarëve të Sarandës nuk mund të jetë kurrsesi i barabartë me vlerën në monedhë të një deleje, të një dhie apo të një lope. Ne jemi popull evropian, që meriton demokracinë, që e kemi nënvlerësuar në këto 30 vite fuqinë e votës”, tha Presidenti Meta.

Pesidenti Ilir Meta ka zhvilluar një vizitë në Sarandë në kuadër të mbështetjes që i jep Aleancës për Dhurimin e Gjakut.

Presidenti Meta ka folur edhe për çështjen e kufirit detar me Greqinë. Kreu i Shtetit tha se kryeministri Edi Rama nuk ka bërë transparencë dhe as bashkëpunim serioz e të besueshëm për këtë çështje kaq të madhe.

Të gjitha veprimet e mia kanë qenë konform Kushtetutës, ndërkohë që për fat të keq nga ana e kryeministrit nuk ka pasur as transparencë dhe as një bashkëpunim serioz dhe të besueshëm, siç e meriton rëndësia e çështjeve kaq të mëdha. Kjo është një çështje që zgjidhet njëherë e përgjithmonë dhe duhet zgjidhur në mënyrën më të drejtë për të dyja vendet dhe t’i shërbejë miqësisë mes të dyja vendeve”, u shpreh Presidenti Meta.