Shkarkohet prokurori i Gjirokastrës, Spartak Çoçoli

Prokurori Spartak Çoçoli i Prokurorisë së Gjirokastrës u shkarkua nga detyra të enjten, pas problemeve me integritetin dhe profesionalizmin.

Vendimi u shpall nga trupa gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, e drejtuar nga Lulzim Hamitaj.

Spartak Çoçoli e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1991 dhe ka punuar për më shumë se dy dekada në Prokurorinë e Gjirokastrës.

Në janar 2019, Çoçoli u pezullua nga detyra pas përfshirjes së tij në një hetim të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ku dyshohej për veprën penale të korrupsionit.

Aktualisht, çështja e tij është duke u shqyrtuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Procesi i vetingut për Çoçolin u krye mbi dy kritere, për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin. Sipas raportit të DSIK, Çoçoli ishte i papërshtatshëm për të qenë pjesë e sistemit të drejtësisë për shkak të përfshirjes në korrupsion.

“Grupi i punës konkludon se afera korruptive ku është përfshirë subjekti e cënon figurën e magjistratit,” tha relatorja Sanxhaktari në seancën dëgjimore.

Prokurori Çoçoli mori vlerësim negativ edhe për aspektin profesional. “Ka mangësi të theksuara në zbatimin e ligjit. Vetëm në një prej çështjeve të verifikuara e ka referuar drejt ligjin, ndërsa në gjithë çështjet e tjera e ka referuar në mënyrë të gabuar.

Në asnjë rast nuk i ka argumentuar vendimet e pushimeve dhe nuk ka kryer verifikime apo hetime para vendimarrjes. Gjithashtu, nuk respekton as rregullat e drejtëshkrimit”, deklaroi Sanxhaktari lidhur me konstatimet e KPK për profesionalizimin.