Gjurmët antike të Sarandës, simboli i qytetit bregdetar i lënë në harresë rrezikohet nga erozioni
Onhezmi ishte porta hyrëse e Sarandës së bashku më kullat e saj rreth 2000 vjet më parë por duket se nuk do të jetë gjatë këtu nëse nuk do të mbrohet
“Ky si objekt i trashëgimisë Kulturore duhet ruajtur, duhet mbrojtur, duhet restauruar dhe pasur kujdes nga vet qytetarët. Në praninë e erës, lagështirës dhe faktorëve atmosferik degradon dalëngadalë, prandaj ka arritur deri në këtë gjendje. Në qoftë se kujdesesh për të forcon ruajtjen ose jetëgjatësinë e saj,” – u shpreh historiani dhe studiuesi Luan Sejdini.
Banorët e Sarandës e shikojnë të domosdoshme ndërhyrjen në mbrojtjen e portës së Onhezmit.
“Siç po gërryhen nga vitit në vit themelet e fragmentit të qytetit të vjetër të Sarandës, kështu po gërryhet dhe historia jonë. Jo shumë larg por ndoshta mbas 20 – 30 vjetësh edhe ky fragment të jetë kthyer në guriçka dhe kështu do copëzohet edhe historia e Sarandës. Unë jam shumë i shqetësuar si qytetar dhe institucionet e varësisë të investojnë në mënyrë emergjente siç po investojnë për përmbytjet nga natyra dhe kjo është një përmbytje nga deti që në mënyrë të pakuptimtë po e shkatërron historinë e Sarandës,” – u shpreh një qytetar.
Arkeologu i Drejtorisë Rajonale të monumenteve të Kulturës, Genci Koçi thotë se shpesh bëhen investime tek ky objekt i vjetër kryesisht në pranverë me qëllim mbrojtjen e monumentit.
“Ka një datim që i përket shekullit të parë deri në shekullin e katërt mbas lindjes së Krishtit. Është një nga monumentet që përfaqëson vetë qytetin e Onhezmit. Është e mirëmbajtur sepse nga ana e sektorit tonë kryhen thuajse çdo vit punime mirëmbajtëse konsoliduese,” – tha Koçi.
Gjurma e portës antike të Sarandës ose Onhezmi siç njihej 2 mijë vjet më parë është Monument Kulture i mbrojtur nga shteti, e po ashtu është e vetmja dëshmi nga jeta dhe civilizimi që ka pasur qyteti në lashtësi.
Monumneti ka mbetur jashtë fokusit të investimeve në 30 vitet e fundit. Specialistët bëjnë apel për mbrojtjen e tij si një pasaportë identiteti kombëtar dhe atraksion kryesor për turizmin.