Kumbaro i përgjigjet Tavos e Tritanin: Vreri që villni nuk ua mbulon dot hiç-in që bëtë në Gjirokastër kur ishit në pushtet
Nga Mirela Kumbaro
Se të vërtetat duhen thënë… Në fakt do të doja të shkruaja vetëm për përditësimin e situatës sipas punës 24 orë në 24, të të gjitha agjencive zbatuese në territor në Qarkun e Gjirokastrës për të mbajtur në kontroll situatën e motit që s’kontrollon dot shirat e qiellit.
Bashkitë e Gjirokastrës dhe të Dropullit, më të prekura nga pasojat e rreshjeve, janë të mobilizuara si asnjëherë më parë nuk i kanë parë komunitetet dhe, që t’i themi gjërat sagllam, puna e tyre nuk ka nevojë për avokat, se banorët e Qarkut në terren i jetojnë vetë dhe koordinimi midis tyre është fakt dhe jo opinion.
Por ndjej keqardhje që ca ish deputetë « të zhgënjyer », nga kuvlitë e tyre të ngrohta fejsbukjane, luajnë kasandrash dhe lëshojnë klithma për fshatra të izoluar, për ura të përmbytura, nga Beçishti i Tepelenës në Zhulat të Gjirokastrës.
Që bëjnë sikur s’e dinë se Beçishti është aq lart sa s’e arrin dot kollaj uji, që bëjnë sikur s’e dinë asnjë fshat nuk ka ngelur i izoluar asnjë ditë, apo se në Zhulat, ku lumi e mori rrugën e mirëmbajtur nga Bashkia në pak orë, është bërë brenda ditës aks i kalueshem që dje dhe po punohet edhe tani që flasim që të përmirësohet kalimi me mjete normale.
Natyrisht që nuk është fushë me lule kur bien shira të tilla, por as fushat nuk janë dëmtuar dhe asnjë pasojë fatale nuk ka ndodhur dhe urojmë të mos ndodhë, dhe urojeni dhe ju o të uruar se nuk kanë nevojë njerëzit për zezonat tuaja por për punën dhe gatishmërinë e bashkive e të grupeve të mirëmbajtjes ; nuk u prishet mendja komuniteteve me tuba llastiku para zgjedhjeve, por me shërbim, gatishmëri e përkujdesje të vëmendshme.
Iku koha zotërinj ish deputetë, kur Zhulati e zonat e rrezikuara nga rrëshqitjet e tokës mbeteshin me muaj të izoluar nga ish kryebashkiakët tuaj që të vetmen zgjidhje dembele që ofronin ishin letrat e emergjencës që i linin peshqesh qeverisë duke u dorëzuar para vështirësive.
Siç ka qenë Palokastra e rrezikuar dhe sot nuk është më falë investimit të Ministrisë së Bujqësisë nën drejtimin e Bledi Çuçi, ashtu po punojmë edhe për projektin e Zhulatit për një zgjidhje definitive sepse e kemi prioritet. Por ndërkohë nuk diskutohet që nuk e lëmë të izoluar as edhe një ditë. Kemi treguar se si dimë të punojmë, me skuadrat e profesionistëve dhe kryebashkiakët Flamur Golemi i Gjirokastrës e Dhimitraq Toli i Dropullit që janë në terren bashkë me punëtorët në Zhulat, Dervician, Dhuvjan… njësoj si të 7 kryebashkiakët e Qarkut Gjirokastër!
Vreri që vjellin “ish »- ët nuk i shton rreshjet, ama, as nuk i ndalon ! POR, sidomos nuk ua mbulon me harresë HIÇ -in e madh që bënë në Gjirokastër për dekadat kur ishin në pushtete.
I them këto për ata që nuk jetojnë sot në Qarkun e Gjirokastrës e çoç mendojnë, se banorët atje s’kanë nevojë fare për këto kujtesa e sqarime. Ne jemi një skuadër #NeKryeTëDetyrës! #bashkë në vështirësi dhe #bashkë në kapërcimin e tyre ! Kush do të na bashkohet, BUJRUM! Pa vrer kasandrash!