Vangjel Tavo: Rilindja e ka mjeruar Gjirokastrën dhe kërkon ta izolojë

Ish-deputeti i LSI, Vangjel Tavo, në një postim në Facebook, thotë se kryeministri Edi Rama po e izolon Gjirokastrën duke ia hequr shumicën e shërbimeve që ofrohen për qytetarët.

Më tej, Tavo shkruan se spitali i këtij qyteti është kthyer në Bashkiak, pasi i janë kufizuar shërbimet dhe është caktuar si spital rajonal për të gjithë jugun Spitalin e Fierit.

Postimi i plotë në Facebook: 

SKANDALI I RADHËS/ “Rilindja” largon edhe një shërbim tjetër nga Gjirokastra.

Duhet qartë dita-ditës se “rilindja” qëllimisht po e izolon qarkun e Gjirokastrës, po e rrënon dhe po e zbraz me një plan të qartë dashakeq.

Pasi largoi nga Gjirokastra të gjitha institucionet: Drejtoria Rajonale e Bujqësisë; Drejtoria Rajonale e Arsimit; Arkivi; Inspektoriati Shtetëror Teknik Industrial; Drejtoria e Peshëmatjeve (DPM); Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve, Ujerave dhe Turizmit (ISHMPUT), shërbimi i Extensionit (këshillimit të fermerëve) duke lënë pas dore fermerët, etj, së fundmi po i heqin edhe një shërbim tjetër Gjirokastrës duke e kthyer Spitalin në Gjirokastër bashkiak, me shërbime të kufizuara, dhe duke caktuar si spital rajonal për të gjithë jugun Spitalin e Fierit.

Banorët e Gjirokastrës do detyrohen të shkojnë në Fier për të marrë shërbimet shëndetësore.

Por nuk mbaron me kaq. Po bëjnë gati dhe institucione të tjera që do t’ia heqin Gjirokastrës.

Ky është plan dashakeqës dhe diskriminues. “Rilindja” e ka mjeruar këtë qark me qëllim dhe kërkon ta izolojë. Ta kthejë nga zemra e jugut tē Shqipërisë në një xhep e provincë të humbur.

Përse po e zhvlerësoni dhe po e zbrazni Gjirokastrën? Përse e keni shkatërruar me kaq përkushtim?

Më 25 prill “rilindja” do largohet përgjithmonë. Të gjitha institucionet dhe drejtoritë rajonale që “rilindja” i largoi do kthehen sërish në Gjirokastër dhe jo vetëm do rihapen vendet e punës por do jenë në numër më të madh. Dhe spitali i Gjirokastrës do mbetet rajonal e do ketë investime dhe jo në këtë gjendje që është sot.

Mjerim, shpopullim dhe shkatërrim. Ky ishte shpërblimi që u dha “rilindja” votuesve që i besuan. Gjirokastra u shkretua prej marrësisë së “rilindjes”

Qyteti i UNESCO-s u braktis. Njerëzit po largohen çdo ditë.

Më 25 prill, të gjithë së bashku, njerëz të thjeshtë dhe socialistë të ndershëm, t’i kthejmë dinjitetin Gjirokastrës dhe ta zhvillojmë, me vende pune, dhe ta nxjerrim nga mjerimi që solli sekti malinj i “rilindjes.”

VT

Këto foto janë nga Spitali i Gjirokastrës, i lënë qëllimisht në këto kushte për shkak të planit dashakeq të sektit të “rilindjes” për ta zhvlerësuar e për t’i dhënë titullin rajonal spitalit të Fierit.