Bledi Çuçi: Objektivi i PS për Gjirokastrën, të marrim 3 deputetë
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ishte sonte në mbrëmje në emisionin “Përballë” të gazetarit Lutfi Dervishi.
I pyetur për objektivin politik në zgjedhjet e 25 prillit në qarkun Gjirokastër ku ai është drejtues politik i socialistëve, Çuçi tha se PS synon të ruajë tre mandate deputetësh, aq sa mori në vitin 2017.
Përsa i përket rolit të Policisë së Shtetit në zgjedhje, Çuçi u zotua për angazhim maksimal që emri i policisë të mos njolloset nga politika apo grupet kriminale.
“Edhe në këto zgjedhje nuk do të ketë një ndërhyrje te policisë. Unë do angazhohem maksimalisht që emrin e mirë të policisë të paktën për ditën e zgjedhjeve që ka bërë deri tani ta ruajmë edhe mos ta njollosim nga cdo tentativë qoftë nga politika qoftë edhe nga grupe të caktuar kriminale që mund të përdoren nga politika.”- tha Çuçi.
Më tej Ministri i Brendshëm përsëriti thirrjen që qytetarët të cilëve iu kanë skaduar kartat e identitetit, të aplikojnë për t’u pajisur me ID e re në mënyrë që të marrin pjesë në zgjedhjet e 25 prillit.