Foto e Alket Hysenit me policat, flet Ministri Brendshëm: Nuk e di që Saranda të ketë 5 shefa policie

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ishte sonte në mbrëmje në emisionin “Përballë” të gazetarit Lutfi Dervishi. Ai u pyet edhe për rolin si drejtues politik i PS në Gjirokastër.

Si e ndani veten nga ai që mund të quhet konflikt interesi, që kur shkoni në Gjirokastër paradite takoni policinë, pasdite takoni partinë?- e pyeti Dervishi duke i sjell në vëmendje një fotografi të postuar nga deputeti socialist i Sarandës, Alket Hyseni. Gazetari i tha Çuçit se deputeti i PS-së ishte në foto me 5 shefa policie.

“Saranda kaq shumë shefa policie paska? Nuk e di, do shikoj strukturën nesër që ta shkurtoj se pesë janë shumë. Mund të kërkoni nëpër arkiva dhe ju siguroj që nuk do të gjeni një foto timen me policinë, as kur kam qenë deputet. Sigurisht që unë drejtorin e policisë Gjirokastër, të Shkodrës, të Tiranës apo drejtorin e përgjithshëm do e thërras në zyrë, do i kërkoj llogari për punën.

Por demonstrime të tilla, që të shihni Ministrin e Brendshëm me drejtora policie, nuk do të keni”, tha Çuçi.

Lidhur me foton e postuar nga Alket Hyseni pati edhe një denoncim në faqen e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.