Mori peng një person në Sarandë dhe kërkoi 4 mijë euro për lirimin e tij, arrestohet dhe ekstradohet nga Greqia pengmarrësi

Një 29-vjeçar është arrestuar në Greqi dhe është ekstraduar në Shqipëri, ku do të vuaj dënimin “arrest me burg” pasi ka marrë peng një person në 2019 në Sarandë.

Në pranga u vu Besmir Xhokrosa, 29 vjeç, i lindur në Burrel, pas bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Athinën, duke u ekstraduar më pas në Shqipëri.

Në 2019, Besmir Xhokrosa në bashkëpunim me një person tjetër, ka rrëmbyer në qytetin e Sarandës, Behar Zemazdaja dhe e ka mbajtur peng në Fushë-Krujë. Rrëmbyesit i kërkuan familjes së personit të rrëmbyer 4000 euro për lirimin e pengut.

Pas zbulimit dhe lirimit të pengut, 29-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana dhe falë shkëmbimit të informacionit me Interpol Athinën u bë e mundur kapja dhe arrestimi i tij me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë.

Më herët gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë ka vendosur për pengmarrësin masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”.