Lënda narkotike e ngarkuar në brigjet shqiptare të Ksamilit ose Butrintit, arrestohet në Korfuz 60-vjeçari shqiptar

Policia greke ka arrestuar në ishullin e Korfuzit, një 60-vjeçar shqiptar, nën akuzën e trafikut të lëndëve narkotike.

Sipas policisë së ishullit, 60-vjeçari u ndalua pasi në bregun e detit gjatë shkarkimit të ngarkesës, iu gjet një sasi prej 322 kg kanabis sativa.

Lënda narkotike ishte ngarkuar në brigjet shqiptare të Ksamilit ose Butrintit e më pas pritej të transportohej në Athinë.

Ngjarja ndodhi mesnatën e së dielës dhe mediat greke shkruajnë se nuk dihet ende identiteti i zotëruesit të saj. Policia vijon hetimet për 60-vjeçarin, nëse ai i përket një grupi të strukturuar kriminal, pasi një sasi e tillë droge, duket të jetë e pamundur që të posedohet dhe të trafikohet nga një person i vetëm.