Reforma Territoriale, Denaj: Rritja e numrit të bashkive ka kosto financiare

Kryetarja e Komisionit për Reformën Teritoriale, Anila Denaj, ka komentuar kërkesën e opozitës për shtimin e 36 bashkive në vendin tonë.

Në një intervistë për Euronews Albania, Denaj theksoi se rritja e numrit të bashkive do të rrisë kostot financiare.

“Komisioni për Reformën Territoriale, nuk është i nevojshëm për të nxjerrë  të gjitha problematikat që kanë qytetarët.

Por nga dëgjesat kanë dalë problematika, dhe nga problematikat kemi filluar të shohim zgjidhje të problematikave. Raporti i PS do të prezantohet javës që vjen. Sot opozita ka sjellë një propozim për të shtuar 33 bashki dhe për të shkurtuar rajonet apo qarqet nga 12 në 6 ose tre. Ne jemi të hapur që për të gjithë deputetët që janë pjesë e këtij komisioni të sjellin secili propozime”-nënvizoi Denaj.

Problematika e dytë që kanë hasur në dëgjesat që kanë bërë në Komisionin e Reformës Territoriale, sipas Denajt është përfaqësimi në këshillat bashkiakë.

“Problematika e parë është kostoja financiare, problematika e dytë është përfaqësimi në këshillat bashkiakë.

Me uljen e njësive të qeverisjes vendore, nga 6 mijë që ishinë anëtarë të këshillave bashkiakë jemi në 1500. Përfaqësimi nuk zgjidhet duke e shtuar territorin, por përfaqësimi zgjidhet kur partitë politike bëjnë listat e anëtarëve të Këshillit Bashkiak, japin detyrat dhe anëtarët bëjnë punën”- deklaroi Denaj.