Artan Lame zbret në Borsh: Nisim përfundimin e regjistrimit të tokave në bregdetin e jugut
Kreu i Kadastrës Shqiptare, Artan Lame ka nisur sot në fshatin Borsh shpërndarjen e çertifikatave të pronësisë për tokat dhe banesat në bregdetin e Jugut.
Lame tha se procesi që nisi para 6-7 muajsh do të përfundojë këtë fund viti me dhënien e çertifikatave të pronësisë për tokat bujqësore, banesat e vjetra dhe ato në proces legalizimi nga Palasa deri në Lukovë pranë Sarandës.
“Përpara 6-7 muajsh filluam procesin e regjistrimit të pasurive në bregdetin e Jugut. Nga 94’ ka filluar procesi i regjistrimit të pronave me përjashtim të zonave të veçanta, ku bën pjesë edhe gjithë bregdeti i Jugut. Duke filluar nga Palasa deri në Lukovë pranë Sarandës, nuk ishte bërë regjistrimi i tokave asnjëherë, i tokave, i shpive të vjetra, të reja dhe legalizimet.
Arsyet kanë qenë të shumta, por në themel ka qenë një arsye kryesore; e vetmja mënyrë për t’i plaçkitur tokat, për t’i lënë njerëzit në sherr ka qenë mos ua regjistro pronat. E morëm këtë proces para 6-7 muajsh dhe deshëm që në prag të krishtlindjeve të fillojmë me përfundimin e procesit të dhënies së çertifikatave të pronësisë për tokat bujqësore, banesat e vjetra, trojet përkatëse dhe ato që kanë hyrë në procesin e legalizimit”, deklaroi kreu i Kadastrës, Artan Lame.
Lame tha se gjatë gjithë procesit, banorët e zonës kanë patur mosbesim ndaj shtetit.
“Ajo që mua dhe të gjithë ekipit na ka rënë në sy ka qenë mosbesimi i banorëve ndaj shtetit. Na kanë parë me shumë dyshim. Na thoshin që keni ardhur t’i merrni e t’ua jepni oligarkëve, edhe sot kishte dyshim. Po kur preknin ato çertifikatat aty ishte shenja që e besonin”, u shpreh ai.