Selaniku po kthehet në “Bergamon” e ri të Europës

Rritja shpejtë e rasteve me Covid-19 në qytetin e dytë më të madh të Greqisë, në Selanik, ka ngritur qeverinë e vendit fqinj, e cila tani po përpiqet të dalë me zgjidhje të shpejta për të shmangur një tragjedi të ngjashme me atë në Bergamo të Italisë gjatë valës së parë.

Daphne Katsiba, presidente e Shoqatës së Mjekëve Spitalorë të Selanikut, tha se qyteti është në një gjendje lufte.

“Rastet që kanë nevojë për shtrim në spital po rriten vazhdimisht, duke cuar edhe në rritjen e pacientëve që kanë nevojë për trajtim intensiv,” tha Katsiba për “MEGA TV”. “Fatkeqësisht, nuk ka mjaftueshëm shtretër të kujdesit intensiv dhe as shtretër të thjeshtë për të mbuluar të gjitha nevojat. Ka mbipopullim dhe shtretërit nuk janë të mjaftueshëm, ”shtoi ajo.

Situata është veçanërisht problematike në Selanik pasi sistemi shëndetësor në rajon është në prag të kolapsit absolut, megjithëse ministri i shëndetësisë Vasilis Kikilias ka njoftuar krijimin e 50 njësive shtesë të kujdesit intensiv.

Bergamo u kthye në qytetin më të goditur nga koronavirusi në Europë, gjatë valës së parë, ku më shumë se 16,000 njerëz humbën jetën për shkak të pandemisë.

“Pa ditur detaje për atë që po ndodh, por vetëm duke dëgjuar shifrat e të infektuarve dhe ato që përshkruhen nga profesorë dhe kolegë, më duket se Selaniku nuk është larg skenave që kemi parë në Itali,” thotë Manolis Dermitzakis, profesor i gjenetikës në Universitetin e Gjenevës për Skai TV.

Dermitzakis paralajmëroi se situata do të përkeqësohet në javët e ardhshme, kur do të kuptohet përhapja e vërtetë e pandemisë.

Më 11 nëntor, rajoni i Selanikut raportoi 777 raste. Në përgjithësi, Greqia raportoi 2,752 raste të reja, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 63,321. Numri i përgjithshëm i vdekjeve për shkak të Covid-19 ka arritur në 909 ndërsa 300 pacientë janë aktualisht në njësitë e kujdesit intensiv.

Uebfaqja e lajmeve “In.gr” raportoi se në tryezë është edhe zgjerimi i ambienteve të shtrimit në spital jashtë spitaleve. Një propozim është që qendra e konferencave Vellideio të kthehet në spital, falë vendosjes së shpejtë të shtretërve.

“Kjo është një lëvizje që do të tregojë se sa e dëshpëruar është situata në qytetin e dytë më të madh të Greqisë,” komentoi In.gr.

Kritikët sugjerojnë se një arsye e mundshme prapa rritjes së rasteve në Selanik është rritja e konferencave dhe evenimenteve shoqërore që është vërejtur kohët e fundit.

Qeveria konservatore e Qiriakos Mitsotaqis njoftoi të mërkurën marrjen e masave të reja kufizuese të tilla si ndalimi i lëzivjes së qytetarëve nga 21:00 deri në 05:00.

Në raportin e saj të fundit, Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve e klasifikoi Greqinë në mesin e gjashtë vendeve Europiane me një situatë të qëndrueshme epidemiologjike.

Greqia me të vërtetë ka arritur të kontrollojë më mirë situatën në krahasim me vendet e tjera europiane, si Belgjika për shembull, me të cilën ka një popullsi të ngjashme, megjithatë, nëntori ka sjellë një rritje alarmante të të infektuarve.

Partia opozitare Syriza ka akuzuar qeverinë se po përpiqet t’u hedhë fajin qytetarëve duke theksuar përgjegjësinë e tyre shoqërore.

“Vendi ka 11 milionë qytetarë të përgjegjshëm. Vetëm një nuk ka përgjegjësi individuale, Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis”, tha Alexis Tsipras para parlamentit grek sot.

Opozita thotë se qeveria konservatore nuk ka marrë asnjë masë për të përmirësuar sistemin shëndetësor si dhe për të shmangur mbipopullimin në transportin publik.

Shumë media në Greqi kanë raportuar vonesa të konsiderueshme në itineraret e autobusëve dhe metrosë, duke rezultuar në mbingarkimin e tyre, duke e bërë të pamundur ruajtjen e distancimit shoqëror

Gazeta “Si”