Deputetja e PS: Ruajmë 3 mandatet në Gjirokastër, 74 në të gjithë Shqipërinë. Vangjel Dule duhet t’i kërkojë falje minoritetit grek

Deputetja e PS-së në qarkun Gjirokastër, Artemis Malo thotë se Partia Socialiste do të ruajë të njëjtin mandat deputetësh në qarkun Gjirokastër dhe në rang vendi. E pyetur nga gazeta “Sot” lidhur me heqjen e një mandati nga qarku për shkak të pakësimit të numrit të popullsisë, Malo shprehet:

“Ne do të kemi po të njëjtin numër mandatesh siç kemi ndër vite, pa asnjë merak. Meraku ynë i vetëm është të mbarojmë punët e mira që kemi nisur, e të nisim akoma më të mira!”

Ndërkohë lidhur me akuzat e Vangjel Dules për braktisje të minoritetit grek në Shqipëri nga qeveria ‘Rama’ dhe nga përfaqësuesit e tij në Kuvend e pushtetin lokal, Malo jep këtë përgjigje.

“Zotëria që përmendët, më në fund do të mbajë ngrohtë qoshen e vet të errët, siç duhej të ishte strukur nga turpi prej më shumë se dy dekadash! Kohë kjo që mund të mjaftonte të ngrinte perandori për njerëzit që pretendon se gjoja përfaqëson! Perandoritë i ngriti, por për hesap të vet në kurrizin tonë, të çdo minoritari grek, që duhet të kërkoj falje publike e të përulet. Nën atë titull, ka ngritur kalatë me rërë për këtë pakicë, i ka tregtuar politikisht sa herë mbetej i kapur në ajër bosh, ka shfrytëzuar në maksimum çdo benefit të kësaj popullsie, e mizorisht ka hedhur vaj në çdo shkëndijë flake false, për të viktimizuar protagonizmin e vet me gjuhë flakësh që kanë rezultuar fatale!! Të lutem, është pa komente, mbështetja dhe vullneti që Kryeministri Rama shfaq gjithmonë, në marrëdhëniet më të mira mes dy shteteve amtare të dy popujve historikisht miq! Nëse do të më lije të vazhdoja, do të më duheshin orë pafund, për të thënë aq sa nuk janë thënë kurrë!”