Miratohen propozimet për ndryshimet në Kodin Zgjedhor/ Gjiknuri: Drafti i PS i mbështetur në modelet europiane

Janë miratuar në Komisionin e Ligjeve në parim propozimet për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ndërsa nesër do të diskutohen nen për nen. Dy nismat e propozuara nga grupi demokrat dhe PS do të bashkohen në një të vetme dhe do të diskutohen nesër.

Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, dhe përfaqësues i Partisë Socialiste në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri prezantoi sot në Komisionin e Ligjeve draftin e Partisë Socialiste për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Gjiknuri u shpreh se, “PS ka paraqitur një projektligj që amendon pikërisht vetëm ato çështje, të cilat na mandaton ndryshimi kushtetues. Këtë e theksoj, sepse edhe nga parafolësit, por dhe në opinionin publik ka pasur debat të gjerë në lidhje me qasjen që duhet të kishte për reformën zgjedhore, përmbajtjen e saj, dispozitat që duhet të prekeshin dhe natyrshëm gjithmonë ligji elektoral reflekton interesa politike të të gjithë aktorëve politikë. Është ligj i vështirë për faktin se secili mendon për tortën e tij elektorale. Pra asnjë nuk niset nga parimet përveç se kur kemi të bëjmë me barazi gare, siç është roli i shtetit, roli i institucioneve, barazia në votim etj. Kurse elementët e tjerë sistemik përgjithësisht reflektojnë përgjithësisht interesat politikë të aktorëve, të cilët kanë pasur mundësi të bëjnë legjislacionin e kohës. Kjo është e vërtetë nuk kemi pse i fshihemi kësaj. Ai që është një çikë i madh do të marrë një çikë ngarkesë dhe me këtë. Një lojtar i ri do ndryshimin e lojës. Këto janë karakteristika që i njeh jeta në përgjithësi dhe jo më jeta politike”.

“Prandaj kur sollëm propozimet këtu, dhe kur dëgjova parafolësit në lidhje me ndryshime të tjera të cilat nuk janë reflektuar në kod më parë, opinioni publik e di, por dhe politike këtu. Ne e dimë shumë mirë u ndoq një proces, i cili përfshiu në konsultim edhe opozitën jashtë parlamentare. do të thotë që edhe ndryshimet që ne si grup pune kemi paraqitur, kemi qenë të kufizuar vetëm në elementë të cilët përkthejnë ndryshimet kushtetuese pa prekur elementë të tjerë të Kodit Zgjedhor sepse nuk na lejon marrëveshja e 5 qershorit dhe dakordësia që kemi gjetur edhe me faktorin ndërkombëtar edhe me opozitën jashtë parlamentare edhe këtu mes nesh. Në mënyrë që të mos hapet prapë, përsëri ajo lojë”, tha Gjiknuri.

“Disa nga propozimet e karakterit sistemik që kanë qenë të diskutuar më parë në këshillin Politik, me ndryshimet kushtetuese ranë. Pra nuk janë më në fuqi. Nuk kemi çfarë i bëjmë më tashmë. Mund të mos kemi bërë ndryshimet më të mira kushtetuese, por tashmë ato janë fakt i kryer dhe nuk besoj se do t’i vërë njeri në diskutim, aq më tepër që disa prej kolegëve këtu kanë qenë dhe prezantues të kësaj nisme dhe shumë gjëra, të cilat mund të krijojnë dhe kontradiktë janë pjesë e propozimit fillestar”, tha Gjiknuri.

Kështu që, shtoi Gjiknuri, “ne i kemi duart e lidhura si komision për të reflektuar vetëm ato elementë të cilat, nuk prekin marrëveshjen e 5 qershorit, pra Kodin Zgjedhor në fuqi. Jo se dua unë. Se me të drejtë mund të thoni se Këshilli Politik nuk është as pronë e imja. Por në fund të fundit janë disa marrëveshje të rëndësishme, edhe të negociuara nga faktorë, të cilët ne na intereson t’i kemi prapë dhe jemi këtu. Por parlamenti gjithmonë është sovran dhe natyrshëm kur nuk gjendet dakordësi të paktën të shkohet tek minimumi i mundshëm i mosdakordësisë ose konfliktit, jo që të prekim çdo gjë nga e para. Ky është një parim në të cilin jemi nisur në propozimin e projektligjit”.

Së dyti, theksoi ai, “projektligji reflekton ndryshimet kushtetuese që u realizuan në korrik dhe ku dua të theksoj dy, tre elementë. Së pari, Kushtetuta parashikoi dhe filozofia e ndryshimeve ishte që në zgjedhje konkurrojnë partitë politike dhe zgjedhësit nëpërmjet përfaqësuesve të tyre kur ata i propozojnë. Kushtetuta vërtet nuk përmend më fjalën koalicion, por praktika e vendeve europiane dhe përgjithësisht e vendeve demokratike, nuk mund të ndalojë lirinë e organizimit të konkurrimit të përbashkët të disa forcave politike. Dhe natyrshëm në propozimet e Kodit të ri Zgjedhor, është parashikuar që partitë të kenë mundësi të formojnë aleancat e tyre, duke mbajtur definicionet në fuqi. Që do të thotë koalicioni është një grupim partish të bashkuara nëpërmjet një marrëveshjeje, të cilët përcaktojnë një lider që ka të gjitha të drejtat e përfaqësimit të këtij konsorciumi politik, por në kushtet e barazisë së garës dhe ata kanë të drejtën dhe detyrimin që të paraqesin një listë”.

“Asnjë vend i hapësirës OSBE/ODIHR dhe me të vërtetë kemi hulumtuar për këtë, unë sfidoj dhe ekspertizën e Kuvendit apo siç ja kam bërë këtë sfidë dhe medieve dhe kujtdo tjetër, që të sjellë një model të një vendi me sistem proporcional rajonal me lista të hapura apo qoftë dhe me lista të mbyllura, i cili ka formulimin e koalicionit dhe formulën që shërben për ndarje mandatesh të koalicionit siç e kishim ne në Kodin Zgjedhor. Me thënë të drejtën asnjë vend nuk e ka”, tha Gjiknuri.

Gjiknuri u shpreh se, “me ndryshimet kushtetuese ra edhe kjo traditë. Se përmendin kemi traditë. Tradita ra se ndodhi ngjarja e madhe ndodhi një tërmet politik, ndryshoi Kushtetuta”.

“Formulimi që kemi bërë thekson që partitë paracaktojnë që në marrëveshje. Pra parapërcaktojnë me njëra-tjetrën se cilat numra në listën e trye të kandidatëve do t’i përkasi secilës parti. Dhe elektorati është shumë i qartë”, tha Gjiknuri.

“Pragu zgjedhor është një propozim i deputetëve iniciues që në fillim ishte 5%. U reflektua pastaj u vendos që pragu të përcaktohej në ligjin zgjedhor. Dhe iu la ligjvënësit që të përcaktojë një prag të pranueshëm. 3% quhet një prag normal, madje relativisht i ulët, për vendet të cilat parashikojnë pragje kombëtare. Tradita e vendeve të tjera shkon 4-5%. Ne zgjodhëm pragun 3% që reflekton situatën e sotme, por natyrshëm që ka qenë nëpër qarqe dhe dikush mund të thotë që ato janë pragje natyrale. Por ne u nisëm nga një premisë. Që t’i të marrësh përfaqësim duhet të demostrosh që ke një numër votash. Vendet prandaj vendosin pragje. Kjo është çështje tradite, çështje e qëndrueshmërisë nesër të qeverisjes, çështje përfaqësimi në parlament”, tha Gjiknuri.

“Ndoshta nuk kemi bërë ndryshimet e duhura kushtetuese, por tashmë ata janë bërë. Duhet të shkohet minimumi i mundshëm i konfliktit. Kushtetuta vërtetë nuk përmend fjalën koalicion, por në Europë nuk mund të parandalohen aleancat. Reflektimet duhet të mos prekin 5 qershorin. Ndodhi një tërmet politik, domethënë ndryshimi i Kushtetutës”, tha Gjiknuri.

Për hapjen e listave, Gjiknuri tha se, “zgjedhësi voton me dy mundësi. Kushtetuta këtë ka parashikuar. Listën shumë emërore që i jep votën partisë politike që zgjedh dhe mund të votojë emrin. Jo domosdoshmërisht voton emrin se mund dhe të mos votojë emrin nuk është e detyrueshme. Por mund të votojë dhe emrin që preferon nga lista e kandidatëve. Dhe në bazë të këtyre dy parimeve duhet të ndërtohet sistemi”.

“Hapja e listave do të thotë mundësia që u jepet zgjedhësit me votë parapëlqyese për të zgjedhur. Kjo është e garantuar me ligjin zgjedhor. Asnjë nuk e kundërshton që çdo qytetar ka mundësi ti vërë kryqin çdo individi aty. E dyta, hapja e listave pse bëhet me këtë mekanizëm që ne propozuam, vlerën mesatare të mandatit për çdo forcë zgjedhore në bazë të mandateve që ka përfituar? Së pari, ka një sërë shtetesh, madje edhe zonja Hajdari në iniciativën e saj përmendi modeli danez, i cili përdor drop kuota, që do të thotë pak a shumë formula që ne kemi, plus një. Dmth numri total i mandateve plus një, pjesëtohet me numrin total të votave. Kanë një formulë të tyre ata. E ka Danimarka. ka shumë shtete që ndryshimin e listës e lidhin me pragje. Pra dhe herësi në këtë rast shërben si një lloj pragu. Kërkon të kesh një minimum votash për të ndryshuar një listë partie”, tha Gjiknuri.

“E para, partitë politike konkurrojnë me ekip. Unë si PS dal me listë njerëzish dhe zgjedhësi kur shef ekipin thotë, mua më pëlqen edhe Ulsi edhe Vasilika, mund të mos pëlqejë Damianin, por mund të pëlqejë një të tretë. Pse unë duhet t’i vë kryqin një njeriu dhe t’i heq shanset një njeriu të dytë, të tretë që është pjesë e ekipit? Pra ai vihet para një vështirësie dhe kjo ka dalë nga eksperienca.

“Pyetja e dytë që shtrohet: Nëse ne e lëmë sistemin pa kriter dhe prag a mundet të sigurojmë përfaqësim të denjë për Shqipërinë? Zgjedhësit në ato vende që e kanë këtë model, preferojnë në 70% të rasteve në Danimarkë ose Hollandë, të votojnë për partine dhe jo për emra. Pra i pëlqen ekipi. 70% të votave shkojnë për ekipin, nuk votojnë për emra ata. Marr rastin e Vlorës. PS ka 66 mijë vota. Shkon zgjedhësi aty, i pëlqen Rama edhe Damiani edhe X dhe Y. 60 mijë vota shkojnë vetëm për PS. 6-7 mijë vota ndahen me emra. E ca do më thoni që do zgjidhet dikush me 300 vota vetëm se ka marrë 300 vota te blloku tjetër”.

“Ne kemi zgjedhur një model si modelet perëndimore, që sigurojnë edhe rirenditjen, kjo do të thotë që ai që kalon peshën mesatare të një mandati, ka mundësi të përmbysë dhe zëvendëson personin që ka më pak vota në renditje sipas radhës”, tha Gjiknuri.