Shkollat në Sarandë gati për 14 shtatorin/ Vladimir Demaj: Gati për nisjen e procesit mësimor në kushtet e masave antiCovid
Me ristrukturimin e muajit korrik sipas një urdhëri të Ministrisë së Arsimit, të gjitha institucionet e njësisë vendore të bashkisë Delvinë i kaluan Zyrës arsimore të Sarandës.
Vladimir Demaj, drejtor i Zyrës Arsimore të Sarandës, Delvinës dhe Konispolit tha per ATSH-në se “më 14 shtator, 5162 nxënës janë gati për vitin e ri shkollor në bashkitë Sarandë, Delvinë dhe Konispol.”
Demaj, në një interviste dhënë për ATSH-në dha hollësi për numrin e nxënësve të arsimit para universitar dhe i uroi ata për një vit sa më të mbarë e të suksesshëm.
“Në juridiksionin e ZVA Sarandë ka 12 shkolla 9-vjeçare duke përfshirë edhe shkollat vartëse. Ka 4 shkolla të mesme, mes të cilave 2 gjimnaze dhe 2 shkolla të bashkuara.Në arsimin e mesëm të lartë gjimnazi “Hasan Tahsini”, gjimnazi “Sulejman Delvina”, Delvinë dhe 2 shkollat e bashkuara “Bido Sejko” Konispol dhe shkolla e bashkuar Ksamil, janë gati për nisjen e procesit mësimor në kushtet e diktuara të masave anticovid-19”, – nënvizoi Demaj.
Demaj tha se “për kët vit shkollor ulen në bakat e shkollës 5162 nxënës nga të cilët 2240 do të jenë në arsimin fillor,( prej tyre 421 janë nxënës rishtaz në klasat e para;); 1865 janë nxënës në arsimin e mesëm të ulët në sistemin 9 vjeçar, dhe 1056 janë nxënës në arsimin e mesëm të lartë”.
Sa i përket stafit pedagogjik Demaj u shpreh se “këtij numri të konsiderueshëm nxënësish do t’i përgjigjet një staf i kompletuar me nivel professional në kërkesat e kohës, prej 388 mësues nga të cilët 128 në arsimin fillor, 198 në arsimin e mesëm të ulët dhe 70 në arsimin e mesëm të lartë.”
Sipas Demaj, në përbërje të të gjithë kësaj strukture shkollore parauniversitare, funksionon gjithashtu edhe njësia psiko-sociale e përbërë nga pesë specialistë të mirëfilltë që janë psikologë dhe punonjës social.
“Kemi patur dhe kemi mbështetjen e plotë të bashkive Sarandë, Delvinë e Konispol për të gjitha masat përgatitore për vitin e ri shkollor”, -tha drejtuesi i Zyrës.
“Pavarësisht nga kushtet e vështira të pandemisë, ne garantojmë nxënësit, prindërit dhe gjtihë komunitetin se institucionet arsimore të Zyrës Vendore Sarandë, Delvinë dhe Konsipol, kanë marrë të gjitha masat që procesim mësimor të zhvillohet normalisht dhe mësimi të zhvillohet në shkolla”, – theksoi Vladimir Demaj drejtor i Zyrës Vendore të Arsimit për Sarandën Delvinën dhe Konispolin.