“Klithmat e vogëlushit në Kakavijë dhe një histori personale nga viti 1997”
Nga Andrea Danglli
Klithmat e gjata të një vogëlushi në pikën doganore të Kakavijës që shtrëngonte me duart e mitura pasaportën dhe priste të kalonte në tokën greke, më sollën para syve një “déjà vu” të shkëputur nga gjysmëfëmijëria ime të cilën pjesërisht kisha menduar se e kisha fshirë nga kujtesa.
Pata besuar prej vitesh që atë fragment të jetës që herë më ngjante si një lojë zbavitëse dhe herë si një tragjedi e kisha lënë përfundimisht pas krahëve me qëllim që të mos e gjeja më kurrë përpara, ose të paktën kështu mendoja.
Përgjatë gjithë këtyre ditëve intensive kam shkruar mjaft lajme lidhur me zhvillimet kaotike në pikat doganore me Greqinë, e vetiu më ndodhi akoma më shpesh se zakonshëm të mendoj për sakrificat e emigrantëve, kushtet e jetesës së tyre, sfidat me racizmin mbytës që herë pas here kapërcen ekstremet, papërgjegjshmërinë e autoriteteve, dobësinë shtetërore që përherë shtrihet barkas para fqinjëve dhe padrejtësitë historike, mes plot të tjerash.
Deri sa m’u shfaqën para sysh pamjet e trishta të të miturit në doganë, të vetmen gjë që s’kisha menduar kurrsesi ishte… vetja ime.
Në vitin e largët dhe të kobshëm 1997 një “plumb qorr” që preku tim atë në afërsi të shtyllës kurrizore e ktheu në kahun tjetër jetën tonë familjare. Ishte një nga ata plumbat anonimë që fluturonin masivisht nga ai vit i çmendur, pa e ditur kurrë se nga kush, nga ku dhe për çfarë ishte shkrepur, për të gozhduar pabesisht pas shpine atin tim paqësor. Akoma më keq, e gjithë kjo skenë e rëndë ndodhi para syve të nënës sime dhe para syve të mi kureshtarë që në ato momente po e ndiqnin teksa ai ndihmonte dajën tim për të lartësuar një mur i cili në fillim u la nga gjaku, e pastaj edhe nga lotët.
Pas kësaj ngjarjeje që mbase do ta rrëfej gjerësisht ndonjë nga dimrat e gjatë të jetës sime, mbaj mend se në trurin si sfungjer prej një të mituri, padashur dhe paditur se çfarë ishin, fiksova për herë të parë fragmente nga piramida, posta kufitare, pika vrojtimi, sinorë, ushtarë dhe… dhunë.
Pas shumë operacioneve përmes mjekësisë së telendisur të atyre viteve në Shqipëri, prindërit e mi aplikuan disa herë për të përfituar një vizë shprese drejt Greqisë, por si dukej, fati nuk bënte aq lehtë aleancë me ta.
Pasi iu mohuan vizat disa herë, iu desh të prisnin akoma më gjatë duke përballuar me durim edhe skizofreninë e politikës së kohës ku një ish-i deleguar në atë zonë, ish-deputet dhe ish-ministër R.B, me përbuzje thoshte se “janë shumë të ndërlikuara këto çështjet e emigracionit” dhe se ai vetë e kishte të pamundur të ndërhynte. Në të tilla kushte, teksa ditët e zymta kalonin, gjendja përkeqësohej dhe plumbi thërriste vdekjen që të vinte, im atë, ime më dhe unë që qarkulloja krahëve të lodhura të saj, të ndihmuar edhe nga një grup miqsh të familjes, tentuam disa herë të hynim ilegalisht në mesnatë në Greqi duke çarë malin mbi fshatin Ponçarë të Devollit.
Sikurse ma kanë rrëfyer vite më pas kur nisa të kuptoj sesi funksionojnë gjërat në këtë botë, fill pas çdo tentative që bënim në mbrëmje, ushtarët tanë dhe ata grekë na kthenin në mëngjes në pikën doganore të Kapshticës pasi kishin bllokuar shtigjet e kalimit. Ky skenar përsëritej e përsëritej pafund herë, derisa një mëngjes, fundgushti i ’97-ës na gjeti në Athinën e largët ku një miku ynë grek u kujdes që trupi i lodhur i tim eti të mos i dorëzohej vdekjes e cila kishte kohë që hapte shtigje për t’u miqësuar me të në shtretërit e spitaleve. Po, është e vërtetë që një nga ata fqinjët tanë që shpesh i vizatojmë si racistë u kujdes që im atë sot të marrë frymë dhe të gëzojë shëndet të plotë, po aq sa është e vërtetë edhe se një bashkaatdhetar i tij me uniformë ushtarake e ka rrahur barbarisht sërish në sytë e mi dhe të nënës tre ditë pas daljes nga spitali pasi konstatoi se s’kishim dokumente. Duam apo nuk duam këta janë humanët dhe të poshtrit grekë, ashtu sikurse është ndarë kjo botë në të mirë dhe të këqij. Ne u rikthyem edhe shumë herë të tjera në Greqi nga mali dhe nga fusha deri në përfundim të kurimit dhe idesë për të ndërtuar një jetë më të mirë, ku herë me dramë dhe herë me komedi mbusha vitet e një pjese të fëmijërisë të cilat ca i mbaj mend, ca m’i kanë rrëfyer dhe një pjesë i pata harruar deri para se të njihesha me vogëlushin në Kakavijë që shtrëngonte pasaportën.
Kanë kaluar gati 20 vite nga këto kujtime kobëzeza dhe më duket se e vetmja gjë që ka avancuar nga ajo kohë është teknologjia, e cila nëse do të ishte e zhvilluar qysh në atë kohë, pale se sa shkrime do të kishte ndihmuar të bëheshin edhe për portretin tim. Ka qenë një portret i brishtë dhe i sfilitur i një të mituri që as donte t’ia dinte se çfarë ishte emigracioni a grekët, çfarë ishin vizat, çfarë ishin radhët, pikat e vrojtimit në kufij, çfarë ishin piramidat ndarëse të sinorit e malet, çfarë ishin…
Mbase kjo është dhe një nga arsyet pse ime më, një nga dëshmitaret e asaj kohe, e ka ende mjaft të vështirë të m’i përshkruajë ato kohë pa iu dridhur mjekra dhe pa iu njomur sytë.
Pas dy dekadave që rrodhën shumë shpejt, një tjetër vogëlush ka zënë vendin tim sot duke reflektuar në sytë e tij plot ujë të gjithë dramën e mbi 800 mijë motrave dhe vëllezërve tanë përtej kufirit të cilët përgjatë gjithë këtyre viteve ndjehen të huaj si këtej kufirit, ashtu edhe matanë tij.
E tregova këtë histori personale duke pasur si qëllim parësor jo rrëfimin e jetës sime dhe as vargun kilometrik sepse si njëra, ashtu edhe tjetra do të mbarojnë një ditë, por duke pasur frikë se një tjetër fëmijë pas ca vitesh do të trashëgojë vendin tim dhe të atij vogëlushi në pikat e emigracionit të sakrificës.
Kjo do të ndodhë me patjetër nëse ne e thjeshtësojmë këtë ngjarje dhe e shohim veç si një radhë njerëzish në pritje, arsyet e së cilës i vendosim ca sipas orekseve politike dhe ca sipas folkloreve patriotike që çuditërisht mbijnë dhe zhvillohen kur hedhin rrënjë mbi kriza si këto, por gjithnjë pa prodhuar rezultate konkrete.
Në këto dy dekada, janë ndërruar mbi dhjetë Ministra të Jashtëm, diplomatë dhe administrata doganore; janë zhvilluar konferenca bashkëpunimi, takime bilaterale, projekte të përbashkëta dhe janë hapur organizata për trajtimin e të drejtave të emigrantëve; janë mbajtur dhjetëra fjalime, janë bërë qindra premtime, janë rrahur gjokse për dhjetëra zotime dhe janë bërë mijëra luftëra fjalësh nëpër debate televizive… Rezultati? Problemet veç janë modernizuar në sipërfaqe, por rrënjët e tyre mbeten po të njëjtat dhe askush s’ka guxuar t’i shkulë njëherë e mirë.
Fatkeqësisht politika dhe shoqëria stepen të rendin turravrap te zgjidhja duke u mjaftuar më këto lëvizjet boshe që na ngushëllojnë përkohësisht, por që na lenë si jetimë në rrugët e botës.
Sigurisht që më shqetëson menaxhimi i situatës, por gjithashtu më shqetësojnë edhe valixhet e trurit që ikin.
Sigurisht që më vë në ankth ngërçi i krijuar dhe orët e punës që humbin, por më shqetëson edhe fakti se diplomacia jonë vijon të qëndrojë me bisht ndër shalë duke mos na prezantuar me dinjitet sikurse e meriton historia e popullit tonë që aq shumë qejf kemi ta rrëfejmë.
S’do mend që më shqetëson gjendja e pandemisë dhe masat e kontrollit që duhen ndërmarrë, por më revolton njëherësh edhe papërgjegjshmëria institucionale kur organet përkatëse hyjnë në veprim vetëm kur gjarpërimi i makinave shkon të trokasë deri para portës së shtëpisë së tyre.
Më është shqetësim me patjetër qasja e Athinës zyrtare, por ama më mban në gjemba edhe qasja e Tiranës zyrtare e cila konsullatat dhe ambasadën në Greqi historikisht i ka konsideruar veç si shtëpi pushimesh.
Edhe pse kanë kaluar 20 vite nga ngjarjet që rrëfeva, në pamje të parë ende duket e kuptimtë se përse akoma s’kemi ngritur kokë për të ecur përpara me Shqipërinë dhe për Shqipërinë, por dëshpërimisht vazhdojmë të eksportojmë atë grusht ëndrrash që na ka ngelur përtej këtyre 28.748 km².
Ndaj, edhe sot më shumë sesa vargu i njerëzve, më tremb vargu i arratisë së atyre që pavarësisht kalvarit të vuajtjes dhe kostos së madhe, sërish qëndruan në radhë duke ditur se i pret një jetë më e mirë se në vendin amë, i cili akoma nuk dihet se kur do të jetë gati t’u hapë krahët e t’i presë paqësisht.
Deri sa ai të bëhet gati dhe të zgjidhë “hallet e mëdha” që ka, vendin tim dhe të vogëlushit të Kakavijës do ta zënë sa e sa fëmijë të tjerë. Deri atëherë, nëse rrënjët e problemeve vazhdojnë të jenë të njëjtat, e vetmja gjë që do të ketë ndryshuar është teknologjia e cila padyshim është gjithnjë gati për të fotografuar dhimbjen.
Por a ka më kohë? Deri kur?