Greqia hap plazhet të shtunën, rregullat e rrepta që do të aplikohen

Plazhet do të hapen këtë fundjavë në Greqi, ndërsa vendi po lehtëson masat kufizuese të vendosura gjatë pandemisë së koronavirusit.

Sidoqoftë, vizitorët do të përballen me masa dhe udhëzime të rrepta, ku nuk do të lejohet muzika apo lojërat sportive ujore. Rregullat e reja janë percaktuar nga Komiteti i Sëmundjeve Infektive në Ministrinë e Shëndetësisë.

Nga ora 8 e mengjesit e së shtunës, plazhet do të jenë në gjendje të hapen për njerëzit. Plazhet të cilat hyrjet i kanë me pagesë do të detyrohen të kufizojnë vizitorët, me vetëm 40 persona për 1.000 mm.

Distanca midis çadrave do të jetë katër metra, ndërsa në një çadër do të lejohen vetëm dy shezllone, përveç rasteve kur janë anëtarë të së njëjtës familje.

Shezllonet dhe vendi i çadrave duhet të dezinfektohet sa herë që ndërrohen pushuesit.

Kafenetë dhe baret e plazhit mund të shërbejnë vetëm ushqim dhe pije për ta marrë me vete, pa tavolina ose shërbim tavoline dhe çdo gjë alkoolike është e ndaluar.

Po ashtu ndalohet edhe çdo sport që kërkon kontakt e skuadër.