COVID-19/ Basha: Qeveria asnjë plan për sigurimin e vaksinës

Kryetari i PD-së Lulzim Basha tha sot se kjo është e vetmja qeveri që nuk ka thënë ende asnjë fjalë dhe nuk ka bërë publik asnjë plan për sigurimin e vaksinës.

Basha thekson se “ është urgjente të përcaktohen fondet e nevojshme për vaksinën antiCovid dhe të nisin bisedimet me BE dhe SHBA në mënyrë që edhe qytetarët shqiptarë të kenë mundësi të vaksinohen kundër COVID-19 sapo vaksina e re të jetë gati. Pa asnjë vonesë”.

“Shqiptarëve vazhdon t’ju mungojë informacioni se si është situata në spitale, sa teste janë siguruar, sa shtretër, sa aparate respiratore dhe medikamente janë në dispozicion për njerëzit në nevojë. Qytetarët ende nuk kanë mundësi të testohen edhe kur kanë patur kontakt me persona të infektuar. Nuk mund të vazhdohet më kështu! Pasojat e kësaj neglizhence do të jenë fatkeqësisht shumë të rënda, si për shëndetin ashtu edhe për ekonominë e shqiptarëve. Ndaj pa humbur më asnjë ditë, duhet që qytetarët të informohen me përgjegjësi dhe transparencë: sa vaksina kundër gripit sezonal ka siguruar qeveria, sa do të jetë fondi në dispozicion për vaksinën antiCovid dhe çfarë protokollesh do të ndiqen për bërjen e kësaj vaksine me qëllim që tu sigurohet mundësia të gjithë shqiptarëve sipas radhës së përcaktuar nga niveli i rrezikut të ekspozimit”, shprehet ai.

Gjithashtu Basha i bën apel qytetarëve që të zbatojnë masat për të mbrojtur nga COVID-19.

“Edhe njëherë përsëris thirrjen që qytetarët të kujdesen për shëndetin e tyre dhe të afërmve të tyre, të respektojnë distancimin social, të mbajnë maskat dhe të zbatojnë të gjitha protokollet shëndetësore të OBSH-së. Virusi është mes nesh dhe derisa të kemi vaksinën, kujdesi dhe masat e gjithsecilit prej nesh janë jetike për t’u mbrojtur prej tij”, apelon Basha.