Aktorja e mirënjohur Hajrie Rondo do të ketë një bust në qytetin e saj të lindjes në Delvinë

Aktorja e njohur e kinematografisë shqiptare, Hajrie Rondo, do t’i vendoset një bust në qëndër të qytetit të Delvinës.

Lajmin e ka dhënë vet kryebashkiakja Majlinda Qilimi, e cila shkruan se e ka mirëpritur projektin e realizuar nga skluptori Kreshnik Xhiku, pasi askush më mirë se një artist delvinjot nuk mund të realizojë një vepër për një artiste delvinjote.

“Delvina jonë, ky vend i magjishëm ku kanë jetuar e jetojnë njerëz që kanë lenë gjurmë në histori, figura që kanë spikatur e spikatin në çdo fushë të jetës, figura që janë memorizuar fort e janë përjetësuar në memorjen kolektive për të na dhënë ne, delvinjoteve, doza të fuqishme krenarie.

E ndërsa në sheshin qëndror të qytetit qëndron hijerendë e madheshtor, Sulejman Delvina, një tjetër figurë pret të hijeshojë e të lartesojë sheshin pranë kinoteatrit te qytetit.

Delvinës do t’i rikthehet serish bija e saj Hajrie Rondo, këtë herë jetësuar në bronx.

Ndihem vërtet e ngazëllyer, por edhe me fat që do të jap edhe unë mbështetjen time, krahas mbështetjes që kanë ofruar deputetet e zonës Z.Alket Hyseni e Z.Andrea Marto.

Mirëprita projektin e realizuar nga skluptori Kreshnik Xhiku, pasi askush më mirë se një artist delvinjot nuk mund të realizojë një vepër për një artiste delvinjote.

Shumë shpejt Hajria jonë, do të jetë mes nesh, në vendin që e lindi dhe e rriti”, shkruan Qilimi.

Hajrie Rondo u nda nga jeta në moshën 66- vjeçare.

Rondo ka luajtur rreth 120 role në teatër dhe rreth 40 role në filma, mes të cilëve mund të përmendim filmin tepër të njohur për shqiptarët “14 vjeç dhëndër”. /Sarandanews.com/