Ish deputeti i Sarandës: Kot nuk e shpallën që tani edhe rezultatin e zgjedhjeve
Nga Astrit Patozi
Ngaqë e dija paraprakisht se nuk do të ndryshonin asgjë, që kur u ulën për herë të parë në tryezën e Këshillit Politik, nuk kisha ndonjë kureshtje për ta parë se çfarë kishin gatuar në detaje, kur “mrekullia” ndodhi.
Por sot e lexova rastësisht atë që Edi Rama e quan marrëveshje me opozitën, ndërkombëtarët e konsiderojnë reformë zgjedhore, ndërsa zoti Luli Basha e thërret dakordësim me qeverinë, ngaqë ka marrë tmerr nga efektet publike të pazarit të 17 majit.
Dhe ishte edhe më qesharake, seç e mendoja.
Sepse në treçerekun e tekstit këta trimat, që po vijojnë të bërtasin “fitore”, që arritën me shumë sakrifica të na linin ashtu siç ishim, paskan vendosur se çfarë do të bëjmë pas 5 vjetësh për zgjedhjet, ndërkohë që edhe për etikë duhet të përmbaheshin pak.
Sepse sa herë shkohet tek populli për t’u votuar, duhet të prezumosh se e ka ai në dorë se kush do të fitojë dhe kush do të humbasë, kush do të jetë i pari, por dhe të tjerët pas tij.
Mirëpo këta na paskan shkruar se do të jenë sërish të njëjtët, kur do të ulen prapë, ndoshta edhe pas 100 vjetësh, ndaj edhe i kanë rënë shkurt dhe na e kanë vënë kufirin te thana qysh sot.
Nuk e kanë menduar keq, në fakt, edhe pse kjo është njësoj sikur qeveria e sotme të miratonte buxhetin e vitit 2025.
Por që ta kishin bërë tamam, meqë e kishin në dorë dhe ishin njëqind përqind të sigurt, çuditem pse nuk shpallën edhe rezultatin e zgjedhjeve, që të kishin mbledhur mendjen që tani njerëzit, mos prisnin kot edhe një vit.