Aleanca për Teatrin sot në Vlorë, PD angazhon strukturat për të firmosur peticionin
Strukturat e Partisë Demokratike në Vlorë kanë lajmëruar se në orën 19:30 do të jenë në mbështetje të Aleancës së Teatrit, të cilët do të jenë sot në sheshin sheshin përpara Teatrit “Petro Marko”.
Simpatizantët e PD Vlorë do të firmosin peticionin për rindërtimin e Teatrit në Tiranë, në vendin ku ishte.
“Njoftim për opinionin publik Vlonjat!
Sot, më shumë se kurrë më parë, interesat e qytetarëve e ato të Opozitës janë të pandashme, ndaj bashkimi për të kundërshtuar Sektin e Rilindjes është nevojë, pavarësisht bindjeve politike.
Për këtë, Partia Demokratike Vlorë, do të përkrahë hapur çdo bashkim qytetarësh të lirë.
Sot, në orën 19.30, në sheshin përpara Teatrit “Petro Marko” ne do të jemi të pranishëm për të mbështetur Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit!
Është koha t’i dalim përballë, drejtpërdrejt, rrezikut për lirinë e dinjitetin. Kushdo që i çmon si ne, le të jetë aty sot.
Partia Demokratike Vlorë”, thuhet në deklaratën e PD Vlorë. /Sarandanews.com/