Sgarbi viziton Vlorën: Shqipëria destinacioni im i parë këtë verë

Vittorio Sgarbi një nga personazhet më të rëndësishëm italianë sa i përket  kritikës së artit, por edhe politikës në shtetin fqinj ka vizituar për herë të parë qytetin bregdetar të Vlorës.

Gjatë vizitës në Vlorë, Sgarbi u prit në takim nga kryetari i bashkisë Dritan Leli, i cili  shprehu kënaqësinë të ketë në zyrën e tij një nga personalitetet e rëndësishme italiane  që me fjalën e tij tij ka qenë ndikues në media për Shqipërinë dhe shqiptarët.

“Është një kënaqësi e veçantë që sot së bashku me vajzën e tij, vjen për herë të parë në Vlorë”, – tha Leli.

Sgarbi, i cili  shpeshherë është prononcuar dhe njihet si një mik i Shqipërisë dhe shqiptarëve tha se “sapo përfundoi pandemia gazetat italiane më pyeten se cili ishte vendi i parë ku do të shkoja, u mendova dhe thashë Tirana dhe erdha në Shqipëri duke dhënë patjetër edhe mesazhin tim përsa i përket vendeve për të vizituar këtë verë”.

Duke folur për për lidhjen me Shqipërinë Sgarbi u shpreh se “raporti im me Shqipërinë është i lidhur me fëmijërinë, kur  babai im i ardhur këtu për luftën në Itali dhe në Greqi më shkruante për Shqipërinë si një vend i bukur. Unë edhe pse ne atë moment ishte e vështirë të vija në Shqipëri një vend kaq afër Italisë, por nën regjimin komunist ishte një vend sa afër aq edhe larg , afër gjeografikisht, por larg psikologjikisht. Por unë e mendoja gjithmonë dhe më dukej shumë bukur të vija në Shqipëri ashtu si dikush shkon të shohë një vend të mistershëm”.

“Pastaj nisa të bëj një luftë kundër krimit sidomos në vendet mesdhetare dhe brigjeve në të cilat ndërtimet  pa kriter, të cilat sidomos në Puglia dhe Siçili shkatërruan peizazhe të mrekullueshme dhe sublime. Dhe një nga mendimet dhe qëllimet e mia ishte të pengoja që këta kriminelë italianë të bënin të njëjtën gjë edhe në Shqipëri. Erdha vonë në Shqipëri për të cilën imagjinoja një transformim nga një vend bujqësor dhe rural në një vend me plazhe dhe hapësira të mrekullueshme dhe në realitet pak beton e keni vendosur edhe ju në fund të komunizmit”, – nënvizoi Sgarbi.

Megjithatë, shtoi ai, Shqipëria nuk ka ato kullat e larta të betonit, dua të shoh brigjet, plazhet që imagjinoj të mrekullueshme,  të cilat nuk kanë atë kërcënim betoni që shkatërroi vendet më të bukura të botës .

“E kam imagjinuar gjithmonë Shqipërinë si një vend të mbrojtur me një natyrë, e cila pak nga komunizmi dhe pak nga zhvillimi i vonë industrial i ka shpëtuar brigjet e veta.  Kam parë disa vende të Shqipërisë dhe më vonë në vitet ’98  takova edhe nënën e vajzës sime Alba, kështu që kam edhe një vajzë shqiptare”, – tha Sgarbi.

Ai u shpreh se “në rrjedhën e viteve kam takuar në më shumë se një rast Kryeministrin Edi Rama dhe nisëm një raport, i cili është zhvilluar më shumë me kalimin e viteve. Gjithsesi kam njohur thuajse të gjithë politikën shqiptare ndër vite. Vizitat e fundit të bëra në Shqipëri janë gjithmonë të shoqëruara nga një vëmendje e madhe e shqiptarëve si sot ku dua t’ju falënderoj për mikpritjen dhe kujdesin e treguar ndaj meje”.

I shoqëruar nga kryetari i bashkisë Leli, Vittorio Sarbi ka vizituar edhe një sërë monumentesh kulturore dhe historike në Vlorë.