“Saranda, me çmime 20% më të lira. Fati i turizmit varet nga kufiri me Greqinë”

Flet per ‘Monitor’, Ben Çipa, Administrator “Sipa Tours”. Saranda, prej disa vitesh, operon me turizëm të organizuar, edhe pse jo në kapacitetet e Golemit. Ben Çipa, administrator i agjencisë “Sipa Tours”, shprehet se polakët dhe nordikët përdorin Korfuzin si aeroport për të vijuar pastaj drejt Shqipërisë me traget.

Nëse kufiri me Greqinë do të mbetet mbyllur, ky mund të kthehet në një problem real për sektorin, ashtu sikurse hapja mund të jetë shpëtimi. Ai thotë se operatorët e hotelerisë kanë rënë dakord në parim për të pasur çmime 20% më të lira këtë vit, për hir të vështirësisë që po përjetojnë të gjithë sektorët dhe qytetarët, por zbatimi nga një njësi në tjetrën është në dorën e secilit.

COVID-19 e bëri të vështirë parashikimin e ecurisë së sektorit të turizmit, po nisur nga ajo çka shohim deri tani, si e prisni vitin 2020?

Me këta tregues që kemi deri tani, turizmi ndoshta do të fillojë si në korrik dhe për hir të vonesës, sezoni ndoshta mund të ketë shtyrje drejt tetorit me dy-tre javë. Tregjet e huaja vijojnë të jenë të interesuara, por sigurisht koronavirusi bëri që agjencitë, të cilat kishin kontrata me garanci, t’i kalonin në formën “on request” (sipas kërkesës), pra sa kërkesë do të kenë aq do të paguajnë.

Ne kemi shpresë për turizëm në korrik, por sot askush nuk di të thotë se ç’do të ndodhë realisht. Për vitin tjetër, më 2021, premisat janë shumë të mira dhe zona e Ballkanit, Kroacia, Greqia, Shqipëria, por edhe Bullgaria, parashikohet të kenë ecuri shumë të mirë.

Si paraqitet industria e turizmit në Sarandë, si po i mbijetojnë kësaj krize?

Çdo gjë është e paralizuar për momentin dhe do të vazhdojë kështu nëse nuk hapet kufiri me Greqinë, me të cilën ne kemi edhe marrëdhënien më të madhe. Aktualisht, sa i takon turizmit, nuk ka asnjë lloj aktiviteti. Greqia ka deklaruar që ndoshta më 15 qershor do të hapë kufijtë dhe, nëse kjo vlen edhe për hapjen me ne, do të fillojë aktiviteti që Saranda ka me Korfuzin dhe tragetet. Në Sarandë, ka pasur viteve të fundit ecuri të mirë të turizmit të organizuar të polakëve dhe nordikëve, të cilët vijnë përmes charter-ave të agjencive deri në Korfuz dhe më pas me traget në Sarandë.

Si qëndrojnë në interes tregu polak dhe ai nordik meqë e sollët në vëmendje për turizmin e organizuar në Sarandë?

Për pjesën e Sarandës, në turizmin e organizuar, tregu polak është i pari, por rritja e nordikëve ka qenë domethënëse dhe me tendencë drejt barazimit nga viti në vit. Ajo që shfaqet ndryshe është që nordikët vendosen në hotele të vijës së parë, më të shtrenjtë. Tregu polak, nga ana tjetër, ka kohëzgjatjen më të madhe. Madje këtë vit ishte vërejtur një tendencë e operatorëve të kompanive të vogla që, përveçse marrin dhoma përmes partnerëve lokalë, kanë marrë edhe hotele të plota me qira. Bëhet fjalë si për agjenci polake, edhe norvegjeze, që marrin hotelin me qira për disa muaj dhe e menaxhojnë sipas mënyrës dhe kërkesës së tyre së bashku me shërbimet.

Thirrja e turizmit është ajo e hapjes së kufijve, por nëse realisht sot vijnë turistë, a është gati sektori të nisë punë menjëherë? A ka ndonjë ngërç që mund të sjellë probleme?

Industria e turizmit është e gatshme me disa plus-minuse të vogla. Urgjente është vendimmarrja për plazhet. Duhet të ketë një vendim për mënyrën e operimit dhe plazhet të nisin të bëhen gati. Vërtet tani nuk kemi punë, por kjo duhet të na shërbejë si një fazë për të çuar deri në fund ato çështje që ende mbetet pezull. Të gjithë asetet, për të cilat pushuesi vjen duhet të jenë në dispozicion.

Përgjithësisht këtë vit është thënë që plazhet do të jepen te hotelet për të respektuar edhe distancat. Rreth 20% e plazhit ka mbetur e lirë për pjesën e publikut pa shezlone, pasi qytetarët e Sarandës duhet të kenë ku të pushojnë. Plazhet e organizuara që jepnin vetëm shezlonet me pagesë do të vihen në funksion të hoteleve.

Po çmimet si pritet të jenë në Sarandë këtë vit?

Çmimet do të mbeten njëlloj si vitin e kaluar, në përgjithësi sa u takon restoranteve e shërbimeve. Por ne si industri në Shoqatën Industria e Turizmit në Sarandë kemi marrë një vendim që hoteleria të paktën të jetë 20% më e lirë. Ky është një konsensusi i yni, por secili nga hotelet ka të drejtën e vet ta zbatojë ose jo. Bëhet fjalë për ato hotele në zonën e Sarandës dhe Ksamilit.

Po sa u takon infrastrukturës, mbetjeve apo çështje të tjera të lidhura me mbarëvajtjen e turizmit?

Ka pasur një ndryshim serioz me ndërhyrjen që është bërë te Shkallaret e Sarandës, me një mbështetje të Bankës Botërore. Aktualisht, në qytet, po punohet për Bulevardin dhe është në fazën e parë të ndërhyrjes dhe kjo situatë po vonon ritmin e punimeve. Na është premtuar që do të mbyllet deri në fund të qershorit, por më duket pak e vështirë për ta arritur si objektiv.

Ajo që ne na shqetëson si sektor, dhe e kemi kërkuar, është një projekt afatgjatë për zgjatjen e Portit të Sarandës në mënyrë që të plotësohen kushtet për ankorimin e kroçerave të nivelit të mesëm. Duhet të bëhet një zgjatje 100 deri në 200 metra. Saranda ka vizita të shpeshta të kroçerave të nivelit ndërkombëtar. Kroçerat e mesme janë deri në 600 pasagjerë dhe deri në 500 veta staf, por ka edhe kroçera të mëdha që arrijnë deri në 3500 pasagjerë.

Ato që janë me mbi 2 mijë pasagjerë, janë të detyruar të qëndrojnë në spirancë në mes të detit, sepse nuk ankorohen dot. Qëndrimi në këtë formë sjell kosto ekstra për kompanitë në paketat që ofrojnë dhe duke pasur parasysh këtë preferojnë, të mos qëndrojnë në Sarandë. Vitin e kaluar, kroçera të nivelit të lartë ishin rreth 120, ndërsa kroçera të kapaciteteve të vogla 100-600, ishin rreth 40.

Një tjetër çështje është industria e jahteve. Ky lloj turizmi vjen në vendin tonë, fillimisht për t’u furnizuar me karburant, por alternohet edhe me vizita turistike dhe ne duhet të gjejmë formën për t’i joshur, që të kalojnë më shumë kohë në Shqipëri e të shpenzojnë më shumë. Në tre vitet e fundit, rritja ka qenë e jashtëzakonshme. Për shembull në 2017, ishin vetëm 73 jahte; në vitin 2018 ishin 913 dhe në vitin 2019, 1070 jahte. Presim që me një investim privat që po bëhet në Portin e Limjonit të ketë edhe më shumë jahte./ Monitor