Sherr në një lokal në Sarandë, plagoset me thikë 35-vjeçari! I dënuar më parë për vrasje, nga burgu kërcënonte një vajzë në ‘Facebook’

Një plagosje me thikë është regjistruar në Sarandë. Një 35-vjeçar, i identifikuar si Besmir Uka, nga Laçi, ka mbetur i plagosur.

Ngjarja është regjistruar pak pas mesnate, në një lokal të sapo inauguruar në Sarandë.

Sherri mes dy të rinjve fillimisht ka filluar në lokal dhe më pas është zhvendosur në rrugën përpara lokalit, ku 35-vjeçari Besmir Uka është goditur me thikë.

Uka është transportuar në Spitalin Rajonal të Sarandës dhe gjendet jashtë rrezikut për jetën. Dyshohet se sherri ka ndodhur gjatë një konflikti për motive të dobëta. Policia ka arritur të identifikojë autorin e ngjarjes, i cili quhet Ermir Shabanaj, 37 vjeç nga Tirana dhe është shpallur në kërkim. Po punohet për kapjen e tij dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Kush është Besmir Uka dhe Ermir Shabanaj?

I plagosuri Besmir Uka dhe autori rezultojnë të dy me precedent të mëparshëm penal. Uka është dënuar për një vrasje të ndodhur vite më parë në Sarandë. Pas një sherri në kazino, Uka për vetëmbrojtje ka qëlluar për vdekje Edmond Mullain. Uka e ka kryer dënimin për këtë vrasje. Sakaq, gjatë kohës që ndodhej në burg, Uka është denoncuar nga një 16-vjeçare se e kërcënonte përmes mesazheve në “Facebook” se do ta vriste. Uka ndërkohë ka precedentë penalë edhe për “dhune në familje”, “drejtim mjeti pa patentë”, “vjedhje me dhunë në bashkëpunim”.

Sa i përket autorit, Ermir Shabanaj më 25 qershor të këtij viti është arrestuar nga policia e Sarandës duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, ndërkohë që brenda në mjet iu sekuestrua edhe një thikë. Në 2013 Shabanaj gjithashtu ka qenë i arrestuar për vjedhje në Tiranë.