FOTOGALERI/ Mes magjisë historike dhe turistike të Butrintit, aty ku shekujt flasin
Asnjë vizitor vendas apo i huaj nuk mund ti shpëtojë magjepsjes nga bukuritë dhe qetësia që të ofron parku kombëtar i Butrintit, 20 km larg Sarandës, ku rrethimet natyrore plotësojnë aq bukur rrënojat antike të tij.
I konsideruar si një nga destinacionet që vizitohet nga adhurues të historisë së lashtë, ky park ofron një numër të konsiderueshëm vendesh arkeologjike dhe konsiderohet si një “mikrobotë e historisë shqiptare”.
Në pritje të turistëve të parë për ta vizituar pas situatës së krijuar nga COVID-19, Agjencia Telegrafike Shqiptare sjell një fotogaleri me pamje nga qyteti antik i Butrinti, ku zakonisht në këtë stinë gjallërohej nga turistët e shumtë vendas e të huaj, që vinin edhe me kroçera në Sarandë.
Kryetari i bashkisë së Sarandës, Ardian Gurma, deklaron se “vetëm vitin e kaluar parku i Butrintit u vizitua nga 230 mijë turistë, pjesa më e madhe e të cilëve të huaj”.
Ky park ofron përveç historisë dhe bukuri natyrore të cilat kanë veçantinë e tyre në çdo stinë, pasi në këtë park shtrihet deti, i cili mbart bukuritë natyrore, historinë dhe rrënojat arkeologjike me vlera të mëdha për trashëgiminë tonë.
Butrinti është i lidhur ngushtë me mitologjinë greke, trashëgimia e tij historike është shkruar nga Dionisi i Halikarnasit, historian dhe shkrimtar i famshëm me origjinë greke në Romë. Ai na tregon për Enean, luftëtarin trojan, për babain e Romulit dhe Remit, për Andromakën, për Hektorin dhe për Trojën. Ky është një prej teksteve të para të shkruar të historisë ku përmendet Butrinti, që ndoshta mund të jetë themeluar nga luftëtarët e dëbuar trojanë.
Arkeologjia e këtij qyteti antik, evidenton trashëgiminë që kanë lënë kultura të ndryshme në të kaluarën: grekët, romakët, bizantinët, venedikasit, turqit, francezët dhe osmanët, të cilët panë te Butrinti një zonë strategjike për të zgjeruar influencën e tyre. Mbretër, pushtues, princër, mendimtarë, arkeologë dhe historianë kanë gjetur në rrënojat e qytetit një simetri të historisë së njerëzimit. Një trashëgimi e njerëzimit, ky është Butrinti. Madhështia e këtij vendi kishte mbetur e fshehur deri në vitin 1927.
Zbulimet e para arkeologjike filluan me Misionin Arkeologjik Italian. Kjo sipërmarrje filloi gërmimet në atë që do të ishte një prej qyteteve më antike të Shqipërisë. Punimet filluan në vitin 1928. Ndonëse punimet arkeologjike asnjëherë nuk kanë përfunduar, mendohet se ajo që shohim sot mund të jetë me shumë mundësi vetëm një e pesta e asaj që ndodhet nëntokë.
Butrinti sot është një kompleks arkitektonik me 15 zona të periudhave të ndryshme, nga shekulli IV para Krishtit deri në shekullin XVI pas Krishtit. Rëndësia historike e Butrintit është e jashtëzakonshme dhe të jesh në gjendje që të ecësh është një privilegj: statuja me gurë të bardhë nga epoka e August Oktavianit, Agripas, Antiohs, Serapisit, Livia Drusilas ngriheshin dikur këtu, si dhe vendi i lindjes së shumë qytetarëve të shquar në kohë të ndryshme apo gjeneralëve romakë gjatë epokës së ndritur të perandorisë kur qyteti quhej “Colonia Augusta Buthrotum” (Kolonia Augustiane Butrinti).
Përveç shkëlqimit të tij historik, Butrinti është një parajsë për 800 lloje bimësh, 246 lloje zogjsh, 105 lloje peshqish dhe 39 lloje gjitarësh.