COVID 19, Shqipëria nis javën e tetë të izolimit me masa lehtësuese

Shqipëria nis sot javën e tetë të karantinës për tu ruajtur nga koronavirusi, por autoritetet kanë shpallur disa masa lehtësuese.

Harta e deritanishme e quajtur “zona e gjelbër” është zgjeruar, ndërsa është zgjeruar shërbimi taksi midis qyteteve.

Një ndryshim të rregullit ka edhe me ata që hyjnë në Shqipëri, apo siç njihen ndryshe të riatdhesuarit.

Prej 4 maji vendit i janë shtuar 18 zona të tjera të gjelbra konkretisht si Tropoja, Rrogozhina, Peqini, Belshi, Cërriku, Gramshi, Ura Vjagurore, Kuçova, Berati, Poliçani, Skrapari, Devolli, Pusteci, Maliqi, Mallakastra, Kolonja, Vlora, Selenica.

Nga kjo javë do të ketë lehtësime të udhëtimit me taksi, ku tashmë lëvizja do të jetë jo vetëm brenda qyteteve, por edhe midis qyteteve.

Nga një pasagjer numri është shtuar në dy, por duhet të jenë anëtarë të një familje.

Lidhur me të riatdhesuarit rregulli ndryshon. Ata që jetojnë në zonat e kuqe do të vetëkarantinohen në banesën e tyre dhe jo në hotelet karantinë.

Ndërsa pjesa tjetër që banon në zonat e gjelbra do të qëndrojë në hotel karantinë për 14 ditë.

Autoritetet thonë se këto lehtësime do të pasohen me të tjera në dy javët në vijim, por shqetësim mbetet sjellja individuale sipas rregullave të mbrojtjes së shëndetit për veten, familjen, shoqërinë, që epidemia të shuhet.