Shtyrja e gjendjes së fatkeqësisë, Hyseni: Qeveria, brenda kompetencës së saj ligjore

Deputeti i Partisë Socialiste, Alket Hyseni, deklaroi për “Ditari” në A2 se “Qeveria ka shpallur brenda kompetencës së saj ligjore gjendjen e fatkeqësisë natyrore dhe i është drejtuar Kuvendit për ta shtyrë këtë gjendje”.

“Këto nuk janë vendime politike, por pasi është marrë mendimi i specialistëve.

Ata ia kanë sugjeruar qeverisë dhe qeveria i drejtohet Kuvendit dhe mendoj se është zgjidhja e vetme që kemi”, theksoi Hyseni.

Sipas deputetit socialist, “Kushtetuta ka parashikuar që në raste të tilla janë disa të drejta kushtetuese që mund të kufizohen”.

“Të gjitha shtetet më demokratike të botës kanë ndërmarrë të tilla kufizime.

Danimarkë, Suedi, Francë dhe Gjermani kanë marrë këto masa. 99% e shqiptarëve nuk e kanë problem që të marrin leje për të dalë, por e kanë shqetësim ata që nuk kanë ide për të kontribuar në këtë situatë.

Opozita mendon se nga këto situata duhet patjetër që të përfitosh”, theksoi Hyseni.

Në lidhje me amnistinë fiskale, Hyseni deklaroi se “ka një kërkesë shumë të madhe, të mijëra emigrantëve që kanë punuar në të zezë dhe jo, që kanë burime të ligjshme që nuk mund t’i transferojnë ligjërisht si qytetarë të BE-së në të ardhmen”.