Butrinti: A do vendosë Kushtetuesja me mbështetje amerikane kundër amerikanëve?

Kushtetuesja do shqyrtojë padinë e opozitës për çështjen e Butrintit, dhënë amerikanëve për menaxhim, gjë e kundërshtuar fort prej saj.

Padinë në Gjykatën Kushtetuese e dorëzoi deputetja opozitare e Sarandës Ina Zhupa, e cila dha dhe lajmin “e gëzuar” për të.

“Viti nis mbarë me një lajm të mirë për Butrintin. Padia pranohet nga Gjykata Kushtetuese e cila fton të gjitha palët të çojnë argumente dhe prova brenda datës 27 Janar 2023. Më pas do zhvillohet seancë publike! Gjykata Kushtetuese do rri në lartësinë e emrit dhe pozicionit që ka! Butrinti do fitojë”, shkroi Zhupa.

Opozita i kërkuar Kushtetuese shfuqizimin e ligjit për koncesionin e Butrintit dhe pezullimin e menjëhershëm të këtij ligji.

Padia është firmosur nga 36 firma të deputetëve, nga të cilat 32 janë të PD, 3 firma të PL dhe 1 është deputeti Dashamir Shehi dhe është e shoqëruar me 3623 faqe prova.

Deputetja Zhupa ka bërë një betejë të ethshme për Butrintit, që të mos kaloi në menaxhimin e Fondit Shqiptaro-Amerikan, ndërkohë që procesi ka patur mbështetje amerikane.

Tashmë pritet se ç’vendimin do japë Kushtetuesja, e ajo e dalë nga Reforma në Drejtësi, e promovuar fort nga amerikanët.

Pra, a do jetë një vendim “anti-amerikan” ai i trupës drejtësidhënëse që mbështetet nga amerikanët.