Alket Hyseni: Edhe këtë vit Saranda do të mbushet plot, është zonë e gjelbër

Deputeti i Partisë Socialiste, Alket Hyseni ka folur lidhur ndikimin që koronavirusi do të ketë në ekonominë dhe në turizmin vendas.

I ftuar në rubrikën “Opinion”, Hyseni pranoi se pandemia që ka përfshirë vendin do të japë efekte negativë në turizëm.

Megjithatë, deputeti i dalë nga lista e Sarandës, u shpreh se kishte shpresë se qyteti të mbushej plot me turistë vendas dhe të huaj këtë verë. Gjithashtu Hyseni përsëriti thirrje për kujdes dhe respektimin e të gjitha masave.

“Pandemia ka ndikim negativ në turizëm. Le të shpresojmë që në jug të fillojë puna sa më shpejt. Saranda fatmirësisht është zonë e gjelbër.

Unë shpresoj e besoj se këtë vit, Saranda do të mbushet plot me qytetarë nga Shqipëria e jashtë saj. Unë uroj që në kulmin e sezonit të jemi në plazhe.

Duhet kujdes, që të mund të shikojmë plazhet. Masat janë të nevojshme, pasi nëse nuk merren, situata do ishte më keq. Ne kemi marrë ekspertizë nga OBSH. Shqipëria ka regjimin më të mirë të mundshëm ndaj koronavirusit”, u shpreh deputeti Hyseni.