Alket Hyseni dhe deputetët e PS heqin dorë nga gjysma e pagës

Të gjithë deputetët e Partisë Socialiste heqin dorë nga gjysma e pagës dhe e vënë atë në dispozicion të buxhetit të shtetit për nevojat nga situata që ka krijuar COVID-19 edhe në Shqipëiri.

Grupi parlamentar e njoftoi këtë vendim sot në Konferencën e kryetarëve, ndërsa paralajmërojnë se shkresa zyrtare do të depozitohet në Kuvend.

Ndërkohë, nga dita e djeshme për 3 muaj, kryeministri Edi Rama, zv.kryeministri Erion Braçe dhe ministrat, do të marrin 50 % të pagës së tyre për shkak të gjendjes së krijuar nga koronavirusi.

Në vendimin e marrë dje nga qeveria, përfshihen edhe nëpunësit e institucioneve të administratës shtetërore, të cilët janë anëtarë të këshillave, të bordeve apo të komisioneve të institucioneve të administratës shtetërore, të institucioneve publike të arsimit të lartë, të njësive të fondeve speciale, të ndërmarrjeve shtetërore dhe të shoqërive tregtare që do të marrin gjithashtu 50 % të pagës dhe nuk do të përfitojnë shpërblimin mujor përkatës.

Përjashtim nga vendimi, i publikuar në Fletoren Zyrtare dhe që hyn në fuqi menjëherë, për përgjysmimin e pagës bëjnë vetëm nëpunësit e institucioneve të administratës shtetërore të cilët janë anëtarë të këshillave, bordeve apo komisioneve të sistemit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Në vendimin e qeverisë nuk përmenden deputetët, por nisma e tyre sot për të marrë vetëm 50% të pagës, vjen si vullnet i tyre personal.

Më herët edhe Presidenti Ilir Meta deklaroi vetë se paga e tij, por edhe e zyrtarëve të Presidencës që janë solidarizuar më emergjencën do të shkurtohet sipas planit të bërë publik nga qeveria.