Miratohet me votat e shumicës Buxheti 2022 dhe Paketa Fiskale

Pas një maratone diskutimesh, parlamenti miratoi të enjten me votat shumicës së deputetëve buxhetin e qeverisë për vitin 2022 dhe ndryshimet në ligjin e Paketës Fiskale.

Buxheti u miratua në tërësi me 77 vota pro dhe 46 kundër.

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku e cilësoi buxhetin e qeverisë “Rama” një barrë për qytetarët, që rrezikon ta çojë borxhin publik në 100%. Tabaku propozoi gjithashtu në emër të grupit demokrat një amendament për uljen e TVSH-së për produktet e shportës ushqimore, por që u rrëzua gjatë votimit.

Deputetët rrëzuan gjithashtu 10 amendamente të deputetit socialist, Erion Braçe që preknin kryesisht ligjet e Paketës Fiskale. Braçe kundërshtoi disa nga politikat e qeverisë dhe kërkoi heqjen e “favoreve” për bizneset e mëdha, vendosjen e taksimit në sektorin e ndërtimit për zonat rezidenciale dhe në bregdet si dhe ruajtjen e normës 6 për qind të TVSH-së për fermerët.

I vetmi amendament që mori votat pro dhe u përfshi në buxhet ishte ai i kreut të Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, i cili propozoi rritjen e buxhetit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Amendamenti ka të bëjë me shtimin e 60 milionë lekëve për shpenzime korrente për këtë institucion të vetigut.

Balla tha në Kuvend se amendamenti “ka të bëjë me një kërkesë që ka ardhur nga Komisioni i Posaçëm i Apelimit dhe nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ku të dyja së bashku kanë kërkuar në funksion të përshpejtimit të punës nga ana e Komisionit të Posaçëm te Apelimit një shtesë në buxhet për të rritur kapacitet e tyre për burimet njerëzore në mbështetje të vlerësimit që bën ky mision,” deklaroi Balla.

Amendamente të tjera që preknin sektorë të ndryshëm të buxhetit u propozuan në seancë nga deputetë të opozitës

Alfred Rushaj dhe Bujar Leskaj propozuan shtimin e fondit për dëmshpërblimin e ish-të përndjekuve politikë. Ndërsa deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim Petrit Vasili solli një amendament për buxhetin e shëndetësisë për rimbusimin e barnave dhe shërbimet mjeksore për të sëmurët me Covid. Deputetet Monika Kryemadhi dhe Erisa Xhixho po nga LSI, kishin sjellë disa amendamente për rritjen e buxhetit për arsimin e lartë dhe heqjen e taksimit për fermerët. Por në votim, ato nuk arritën dot të merrnin votat e mjaftueshme për t’u bërë pjesë e buxhetit të ri.