Mesazhi prekës i mësueses nga Delvina: Le ta sfidojmë të panjohurën, të gjithë bashkë mund t’ia dalim!

Një mësuese nga Delvina, Etleva Merko e detyruar të qëndrojë në shtëpi pas mbylljes së shkollave prej koronavirusit, përmes një letre prekëse të dërguar në adresën e “BalkanWeb” kërkon nga nxënësit e saj, të afërmit por edhe të gjithë shqiptarët, t’i binden urdhrave, të qëndrojnë në shtëpi.

Vetëm në këtë mënyrë thotë ajo mund ta mposhtim të keqen që do të na mbëthejë të gjithëve.

LETRA E PLOTE
Një ëndërr apo e vërtetë…
Zgjohem në mëngjes herët pasi më është bërë refleks për të shkuar në punë…Hedh sytë nga jashtë dritares së shtëpisë dhe shikoj se si rrugët janë krejt të zbrazëta . Në këto ditë të bukura ku pranvera ka trokitur, lulet kanë filluar të çelin dhe dielli shkëlqen, kurse ne qeniet njerëzore brejmë brenda vetes të frikësuar nga e panjohura që na ka ardhur tashmë në derë. Rrezet e arta të diellit kanë depërtuar brenda shtëpisë sikur duan të më ftojnë të dal në natyrën e ringjallur për t’i shijuar, por unë nuk mundem. Nuk mund të dal nga frika e së panjohurës e cila çdo ditë futet brenda qenies së kujtdo personi që e takon duke e marrë me vete në luginën e errët të ishullit “vdekje” . Ora shkon 9 e 10 dhe me vete mendoj, tani duhet të isha në mësim duke shpjeguar mes buzëqeshjeve dhe mirësisë së fëmijëve te mi, por nuk jam më aty as ata rreth meje që të fal dhe të më falin përqafime të sinqerta. Tani jam përballë një kompjuteri ku mundohem të jap mësimin e ditës nëpërmjet zërit dhe imazhit . Mundohem ta fsheh panikun gjatë kohës që flas, mundohem të përcjell mesazhe sensibilizuese lidhur me mysafiren e panjohur që ka ardhur në vendin tonë. Pasi dërgoj dhe detyrat e fundit nga kompjuteri me përqafimet virtuale, por të ndjera, vendos të hap televizorin . Dëgjoj se e panjohura tashmë sundon gjithë botën. Të panjohurës nuk po i gjendet zgjidhja , ajo vetëm merr çdo sekondë, minutë, orë dhe ditë jetë njerëzore. Zilja e telefonit bie…është mami që çdo mëngjes më përshëndet . Zëri i saj më qetëson. Mes shumë fjalësh ajo më thotë:

– Eva do iki edhe kjo sepse çdo gjë kalon!
Pasi mbyll telefonin me pozitivitet them se po edhe kjo do të kalojë si shumë gjëra të tjera. Ne shqiptarët dimë të kalojmë çdo vështirësi. Pas çdo vështirësie vjen lehtësimi. Të qëndrojmë në shtëpi duke u kujdesur për veten dhe duke mbrojtur kështu të gjithë të tjerët. Rrezet e arta të pranverës do të jenë aty edhe nesër nëse Ne sot do të dimë t’i mbrohemi kësaj të panjohure që mundohet të na mposhti. Ne nuk duhet ta lejojmë të na vjedhi ëndrrat dhe të nesërmen. Le të sfidojmë sot të panjohurën për të realizuar ëndrrën e së nesërmes. Të gjithë së bashku ne mund t’ia dalim!!!