Rama: Nga nesër, 50 përqind më shumë internet falas për të gjithë

Në një komunikim në Facebook, Rama ka bërë të ditur se duke filluar nga dita e nesërme të gjitha kompanitë do të kenë paketa të reja ofertash interneti.

“Nga nesër 50 përqind më shumë internet falas për të gjithë, 5 javët e ardhshme. Falas do të jetë RTSH dhe çdo format edukativ. Abonentët me kontratë fikse kanë akses në platformat për fëmijë 60% më lirë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se ky është maksimumi që mund të bëhej, pasi në të kundërt sistemi do të kalonte në kolaps.

“Administrimi i duhur i rrjeteve dhe i shërbimeve elektronike është një nga pikat nevralgjike të krizës. E keni parë besoj se si kolapsuan sisteme digjitale në vende më të avancuara se i yni”.

Edhe njëherë tjetër, kryeministri u bëri thirrje qytetarëve dhe në veçanti të rinjve, të qëndrojnë në shtëpi, pasi virusi nuk rrezikon të vrasë vetëm moshën e tretë, por edhe të rinjtë. Ai theksoi se në SHBA është ulur ndjeshëm mosha e të prekurve.

“Mbrëmë, shifrat e të prekurve në SHBA ishin të frikshme për rininë. 40 përqind e të shtruarve në spitale janë nga 20 deri në 40 vjeç dhe jo pak janë në gjendje të rëndë.

Është e pa vërtetë që të rinjtë janë të paprekshëm. Prandaj, ju lutem të gjithëve mos lëvizni nga shtëpia për asnjë arsye në botë.

Mund të transportojnë bombat kur kthehen në shtëpi, mund të vrisni familjarët dhe veten tuaj”, tha kryeministri.