Nënë e bijë 40 ditë pa bukë e ujë/ Si u shua familja me origjinë nga Përmeti, pjesë e Dëshmitarëve të Jehovait

Horror në Kombinat! Në pallatin parafabrikat mbrapa ish-Mapos rruga “Hamdi Cenoimeri”, dy trupat e vdekur të dy grave kanë bashkëjetuar për ditë me radhë me banorët e lagjes. Zhaneta Josifi, 56 vjeçe dhe Anisa Josifi 30 vjeçe, u gjetën të vdekura në banesë, ndërsa në gjendje të rëndë ishte edhe vajza tjetër e Zhanetës, Blerta Josifi 34 vjeçe. Në banesën e tyre të thjeshtë në këtë lagje të Tiranës, policia gjeti shënime fetare, ndërsa fqinjët dhe burime  nga grupi i hetimit aktësuan se nëna dhe dy vajzat kanë qenë praktikante të sektit të njohur si “Dëshmitarët e Jehovait”.

Historia është po aq e frikshme sa skenarët e filmave horror. Ekspertiza mjeko ligjore paraprake e trupit të Anisa Josifit ka dalë në përfundimin se vajza ka vdekur 15 muaj më parë. Sipas ekspertëve, trupi është mumifikuar sepse është mbështjellë ditë pas dite me çarçafë të hollë, ndërsa kur nëna ishte gjallë, vetë Zhaneta dhe vajza tjetër e mbijetuar, Blerta lyenin trupin me vaj dhe me uthull për të mos lejuar dekompozimin dhe për të shmangur erën e keqe.

Trupat u gjetën në dhoma të ndryshme. Vajza gjendej në dhomën e saj, ndërsa e ëma përtokë në dhomën tjetër. Ndërsa Blerta, e vetmja e mbijetuar u gjet në korridorin e banesës por e vetëdijshme.

Fqinjët dyshonin se në këtë shtëpi kishte diçka të dyshimtë, por asnjëherë nuk menduan se brenda mund të gjendej një trup i vdekur prej 1 viti e 2 muajsh. Të tri gratë mendohet se besonin tek “Ringjallja”, për shkak të besimit që kishin zgjedhur. Ato nuk ishin të regjistruar në qendrën e Dëshmitarëve, por predikonin të lira. Në shtëpinë e tyre, fqinjët kishin parë shpesh, “zyrtarë” që shpërndanin broshurat.

Kjo dëshmohet nga deklarimi i 34-vjeçares Blerta Josifi. E reja që tanimë është shtruar në urgjencën e spitalit Psikiatrik nr.5 në Tiranë, ka thënë se ajo dhe nëna kanë refuzuar çdo gjë, ushqim dhe për 40 ditë.

“Nëna vdiq, unë mbijetova”, i tha policisë 34-vjeçarja. E pyetur pse u ndërmor vetëflijimi, Blerta mësohet se iu ka thënë hetuesve:Se keni idenë çfarë kaluam ne për të fituar ringjalljen.

Ishte vëllai i Zhanetës që njoftoi policinë. Ai mori 112 në telefon sepse e motra nuk i hapte telefonin, ndërsa me të shkuar në vendngjarje, efektivët u hasën me erën e rëndë të trupave të vdekur e të dekompozuar. Ata hynë nga dritarja e banjës sepse ballkoni ishte mbyllur me kangjella hekuri.

Kush ishin Zhaneta dhe Anisa Josifi?

Zhaneta 56 vjeçe dhe Anisa 30 vjeçe, nuk ishin shquar për “radikalizëm” në sjelljet e tyre. Fqinjët dëshmojnë se familja me origjinë nga Përmeti ishin vendosur prej vitesh në Tiranë, ndërsa babai, ka vdekur 5 vite më parë. Familja njihej si e qetë, Zhaneta punonte pastruese, ndërsa vajzat ishin të arsimuara.

Prej gati 2 vitesh, familja Josifi jetonte e izoluar, aq sa fqinjët nuk besonin se ato rrinin në banesë. Tri javë më parë, i vëllai i Zhanetës e ka marrë në telefon të motrën, por ajo nuk pranonte që t’i shkonte në shtëpi. 56-vjeçari shkoi në polici, dhe një patrullë vajti tek banesa. Në dëshminë që Zhaneta Josifi iu ka dhënë policëve thotë se rrinin brenda pasi ndiheshin të rrezikuara për shkak të koronavirusit dhe për arsye personale. “Ashtu kemi hallet tona”, -është shprehur ajo.Ndërsa kunati i Zhaneta Josifit, ka deklaruar se kishte një vit që nuk e takonte Anisën. Sipas tij, ato i kishin thënë se nëse do e shikonte Anisën, këtë të fundit do e ndëshkonte Zoti.