Përmet, hapet pas 30 vitesh kopshti me drekë, Kumbaro vlerëson kryebashkiaken Alma Hoxha

Ish-ministrja e Kulturës dhe njëherazi deputetja e qarkut Gjirokastër, Mirela Kumbaro, ka postuar disa foto nga një kopësht i Përmetit, i cili sipas saj tashmë ofron edhe drekë për fëmijët.

Kjo thotë Kumbaro, ndodh për herë të parë pas 30 vitesh dhe është padiskutim merita e kryebashkiakes Alma Hoxha.

“Nuk do të flas tani për emancipimin e familjes, ndarjen e punëve brënda saj…se kjo temë do argumentim të gjatë.

Dua vetëm të ndaj me ju se si një grua kryetare bashkie, pa zhurmë e pa fjalë të mëdha, bën më shumë për nënat se sa gjithë fjalët bashkë. Pas rreth 30 vjetësh rihapet në #Përmet, kopshti me drekë dhe çerdhja nis të funksionojë me dy turne.

Një mësuese e nënë si Alma Hoxha, kryetarja e Bashkia Përmet-Bashkia Që Duam, jo vetëm mbajti premtimin që u dha grave përmetare, por për të parën herë bën pjesë të buxhetit të bashkisë pajisjen e kopshteve me mjete didaktike”, shkruan Kumbaro.