PD: Koronavirusi nuk infekton part time, Rama të rimbursojë pagën e plotë të qytetarëve

Partia Demokratike doli kundër vendimit të qeverisë për të lejuar qarkullimin me makina vetëm në orët e mëngjesit deri në 08:00 dhe vetëm një orë pasdite.

Përmes një reagimi për mediat, PD kërkoi që ose të mos lejohet fare qarkullimi, ose të lejohet sipas orareve të punës së çdo qytetari.

Lejimi i lëvizjes së automjeteve në mëngjes dhe 1 orë pasdite zgjidh vetëm lëvizjen me makinë të drejtorëve të Edi Ramës.

Është një vendim që tregon paaftësinë e qeverisë në menaxhimin e situatës dhe pandjeshmërinë e saj.

Koronavirusi nuk infekton part time, sipas orareve që cakton nga shtëpia Edi Rama. Ose ka, ose nuk ka karantinë. Ose lejohet lëvizja për punë në oraret individuale të punës, ose nuk lejohet!

Vendimet gjysmake janë si të vërtetat gjysmake, dëmtojnë më shumë.

Partia Demokratike vlerëson se për shkak të situatës së krijuar, karantina totale, për një periudhë 14 ditore fillimisht, është një zgjidhje që ndihmon në mospërhapjen e gjerë të virusit dhe për të vlerësuar përmasat e përhapjes së tij nga ekspertët.”