Mos e patë Toton e Xhane?

Nga Thoma Nika

Botuar në Gazetën “Dita Jug”, mars 2003

Rrallë herë qëllon që një njeri trupmadh e hijerëndë sa ai, të mbajë brenda vetes aq jetë e aktivitet.
Xha Mihon, Miho Xhanin, apo le ta themi ashtu shkurt e ëmbël, Toton e Xhane, do ta gjeje në pikë rë mëngjesit, tek merrte “recetën” e atij vitaliteti të paimitueshëm prej vërsnikëve të tij dhe atë recetë që do t’i falte jetëgjatësinë e njëherësh atë që lut çdokush në moshën e tij: jetën dhe vdekjen “me këmbë e me dorë”.

I mbylli sytë me një vdekje të ëmbël mjaltë, thjesht ashtu, në përgjumjen e mëngjesit. Atë ecje krenare, me mbajtjen e ballit lart, sa thoshe se donte të matej me pishat nga kalonte, duhej të dije ta lexoje. Ajo sikur thosh një sekret, të cilin kish njerëz që e lexonin qartazi. Ai zgjim herët dhe ai kilometrazh i patolerueshëm edhe në ditët kur ndihej i pamundur, thoshte fiks-fare vetëm kështu:

– Po juve, si ju flihet akoma, o qytetarët e mi?! Gjumi të squll e të bën të fjetur tërë ditën. Ecni sa më gjatë, që të jetoni sa më gjatë!
Atyre që takonte rrugës, nuk lodhej t’ua thosh ashtu thatë e sa për të kaluar radhën atë “e more djalë, si u dive?”. Ruante për ta edhe fjalën e mbështjellë me ngrohtësi shpirti e të nxjerrë përmes atij dhëmbit me këllëf floriri.

Kush ishte Miho Xhani? Po të duash ta paragjykosh, e ca më tepër, ta mohosh, ta hedhësh poshtë bashkë me diktatorët e diktaturën që lamë pas, e ke fare të lehtë. Për nihilistin dhe alergjikun ndaj gjithçkaje e kujtdo që ka bërë një emër në të djeshmen, do të mjaftonte për ta mohuar, renditja e tij ndër të 200-ët që vunë themelet e Partisë Komuniste. Qenia e tij partizan dhe funksionar i lartë pushteti në Gjirokastër e Sarandë, do të mjaftonte.

Por kush nuk e di se askush nuk ka lindur komunist dhe se të shumtët e komunistë-ve që kemi njohur, kanë njerëz idealistë. I besonin, si jetën edhe vdekjen, në shër-bim të asaj që mundoheshin të përfytyronin se po bëhej për këtë popull e këtë vend. “Totua” nuk lindi në Shtëpinë e Partisë, porn ë një familje me tradita atdhe-dashëse dhe në një fshat detarësh, në Piqeras të Sarandës. Në fshatin që Bregut i rri si një anije e gjelbër, e gatshme për t’u lëshuar në detin e kaltër, që ka përpara.

Ishte vetëm me 8 klasë shkollë, se ashtu kanë qenë kohërat. Por, ama, ato i kishte tamam- thonë dy djemtë e tij të mëdhenj, Thanasi e Vangjeli- derisa ato nuk e penguan që të mbarojë shkëlqyeshëm Akademinë Ushtarake në ish-BS. Në atë Akademi, ku Totua shkoi nga “akademia” e luftës. Totua i Xhane ka meritën e krijimit të njësitit të parë në Bregdet.

Ai mbahet mend edhe për vlera të larta morale, si miku i lebërve, i bregasve e minoritarëve dhe i të ardhurve që herët nga Përmeti në Sarandë. Ai ishte miku i këpucarit Omer Sulo dhe i bariut Abaz Korkuti, i minoritarëve Spiro Dhima e Miço Gaço, i burrit të lartë Minello Bala e shumë e shumë të tjerëve. Në asnjë rrethanë e për asnjë arësye, ai nuk e ndau veten nga vëllami Leo Bitri nga Piqerasi, edhe kur ishte deklaruar kulak. Nuk e pushoi përkrahjen ndaj intelektualëve. Profesor Gjata, doktor Rusi e doktor Shefqet Ndroqi, ishin disa prej miqve të tij, intelektualë në Tiranë.

Nuk do t’i mungonte kurajua të përplasej në një rast deri edhe me ish-Kryeministrin Mehmet Shehu. “Nuk luftova për kolltuk, marr prapë sqeparin e rokanin (zdrukthin) unë”, do t’i thoshte shkoqur në një takim.

“Prerja” e tij ndryshe nga modelet që po pillte realiteti i moszhvillimeve të fundit të sistemit, por edhe koshienca për t’i hapur udhë më të diturit, atij që sheh larg e më lart, e bënë që të kërkonte të dilte në pension ende pa mbushur të 60-at.

Një çerek shekulli me statusin e pensionistit, e ndihmoi që morinë e halleve të jetës së njeriut të thjeshtë, ta shohë e t’i përjetojë si halle të vetat. Shtëpia e tij, ajo vila dykatëshe (me qera), buzë rrugës hyrëse për në Sarandë, edhe gjatë atyre dy viteve të pensionit, ishte një “zyrë” derëhapur, ku derdheshin hall pas halli, që kishin të njohur e të panjohur. Me peshën e këtyre halleve në mendje e në shpirt, Totua i Xhane nuk druante të përplasej me autoritetet e çdo kohe.

Për të gjitha këto, mungesa e tij mbështillet me atë mirësinë që pyesim si të ishte gjallë: “Mos e patë Toton e Xhane?!”