Lojtari i Teutës tregon si po e kalon karantinën nga Saranda
Shqipëria, por jo vetëm, po kalon një moment të vështirë pas virusit pandemik. Futbollistët janë ata që ndoshta e vuajnë më tepër këtë ngujim në shtëpi.
Mesfushori i Teutës, Albano Aleksi, ka gjetur një zgjidhje, duke qenë pranë detit në Sarandë, aty ku dhe jeton familja e tij. Në një intervistë për “Panorama Sport” mesfushori flet për stërvijen individuale që po kryen në kushte shtëpie.
Albano, si po e përballoni këtë situatë të paprecedentë?
Është një situatë që duhet ta kalojmë të bashkuar. Unë po e kaloj me stërvitje në shtëpi, por edhe duke lexuar ndonjë liber apo ndjekur filma në TV.
Si ia bëni në kushte shtëpie për stërvitjen?
Siç ju thashë, jam duke u stërvitur përditë dhe zbatuar me përpikmëri programin stërvitor që na ka dhënë stafi teknik. Besoj se deri në momentin që do kthehemi në fushë, do jemi në formën që kemi patur.
Ku ndodheni aktualisht?
Unë familjen e kam në qytetin e Sarandës dhe këtu po stërvitem përditë, natyrisht në kohën dhe kur dhe lejohet të dalësh. Bëj vrapime, ushtrime izometrie, pompa etj.
Parametrat e stërvitjes individuale që ka bërë sot Aleksi në Sarandë, teksa ka vrapuar 7.85 kilometra
Sa e vështirë është për një futbollist të qëndrojë i ngujuar dhe pa e parë fushën?
Normalisht që është e vështirë, jo vetëm për mua, por për çdo lojtar. Janë kushte që nuk janë të duhurat për stërvitje. Por, më me rëndësi për momentin është të kalojmë këtë situatë jo të mirë.
Në këto ditë i jeni përkushtuar më shumë familjes?
Normalisht që po. Është një moment që duhet të qëndrojmë në shtëpi me njerëzit e zemrës dhe shpresoj që të gjithë të bëjnë kështu.
Si e shikoni vazhdimësinë e skuadrës në kampionat?
Ekipi i ka ta gjitha mundësitë për të bërë edhe më mirë. Pas rikthimit në fushë do të jemi shumë më të motivuar dhe jam i bindur se do të shikoni një Teutë tjetër.