Kryegjykatësi i Vlorës në vetting, KPK: Ndërtoi shtëpi pa leje në Sauk! Dyshime për blerje fiktive të apartamentit në Tiranë

Vettingu për pasurinë e kryegjyqtarit të Vlorës rezulton me probleme përgjatë prezantimit të trupës gjykuese në seancën dëgjimore.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit tha se në vitin 2015 kryegjykatësi i Vlorës ka blerë 1400 m2 tokë në Sauk. Në këtë tokë, gjyqtari ka ndërtuar një shtëpi pa leje, të cilën e ka futur në proces legalizimi. Por sipas KPK-së, kjo pronë (kontrata për pronën) nuk përputhet me deklaratat e pasurisë ndër vite.

Sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nga viti 2004 deri në vitin 2016 gjyqtari Skënder Haluci nuk ka deklaruar llogaritë bankare të gruas.

 

Trupa gjykuese e KPK-së tha se nga gjetjet e tyre, nga rezultuar se kryegjyqtari i Vlorës ka edhe një apartament 106 m2 në Tiranë, por sipas tyre, banesa është blerë nga gjyqtari me vlerë më të ulët seç e ka blerë fillimisht personi që ia shiti. Pra dyshimet e KPK-së janë se vlera në kontratë të ketë qenë fiktive, shumë më e vogël sesa ajo që realisht është paguar.

KPK u shpreh se nga viti 2012-2014, Skënder Haluci nuk justifikon shpenzimet për studimet që vajza e tij ka kryer në Angli.

KPK tha se Skënder Haluci ka edhe një makinë tip Benz me vlerë 400 mijë lekë, me burim pagën e marrë ndër vite. Por edhe për këtë makinë – tha trupa e KPK-së, bilanci i blerjes ka qenë negativ, çështje e cila do të vlerësohet më tej deri në vendimmarrje.

Skënder Haluci është në krye të Gjykatës së Vlorës prej vitit 2010 dhe rezulton se ka marrë edhe dëmshpërblim si i përndjekur politik.

Një ditë më parë, Haluci kishte kërkuar ndryshimin e trupës gjykuese, por kërkesa është rrëzuar sot në nisje të senacës dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Edhe sipas inspektoratit të pasurive kryegjyqtari Haluca nuk justifikonte dot pasuritë, ndërsa pritet tashmë vendimi nga KPK.