Financimi i partive, Gjiknuri: Jemi dakord për financimin miks
Damian Gjiknuri, pas përfundimit të takimit të radhës për Reformën Zgjedhore, deklaroi për mediat se “çështja e financimit të partive do të kërkojë kohë”, por, sipas tij, “parimi është që jemi dakord për financimin miks”.
“Më vjen mirë që PD-ja ka hequr dorë nga financimi 100% shtetëror. Duam të gjejmë një sistem të balancuar mes kontributit privat dhe atij shtetëror. Besoj se do të gjejmë zgjidhje të pranueshme”, tha Gjiknuri.
“Ka akoma shumë çështje të pazgjidhura në tavolinë. Mos e shikoni 15 marsin si një datë që patjetër të kemi të gjithë draftin.
E rëndësishme është të kemi dakordësi për të gjitha çështjet. Mund të zgjasë një muaj procesi i zbardhjes së tekstit dhe aprovimi në Kuvend, por e rëndësishmë është që në 15 mars të jemi dakord.
Edhe nëse në 15 mars nuk është gjithçka gati, rëndësi ka që të jemi dakord, pasi çdo gjë tjetër pastaj do të jetë teknike”, nënvizoi Gjiknuri.
Oerd Bylykbashi i Partisë Demokratike theksoi se propozimi i opozitës është reduktimi drastik i financimit nga burimet private, 67% nga shteti dhe 33% nga private.