Park eolik 72MW në Sarandë, dorëzohet përmbledhja jo teknike e projektit të 2008-ës

Në vitin 2008 Enti Rregullator i Energji miratoi një vendim që lidhej me licencimin e një kompanie në veprimtarinë e prodhimit të energjisë elektrike nga era.

Kur kanë kaluar 14 vite me shtyrje të vazhdueshme afatesh të licencës duket se projekti ka nisur më në fund të avancojë në dokumente. Së fundmi “E VENTO srl Albania” sh.p.k (eolike) ka depozituar pranë institucioneve publike përmbledhjen jo teknike të projektit duke kërkuar kështu miratim por duke dhënë edhe detaje të hollësishme me të.

Projekti i impiantit eolik në Sarandë

Në dokumentet e kompanisë cilësohet se kapaciteti i instaluar do të jetë 72 MË ndërkohë që do të vendoset në disa rajone në zonën e Sarandës. Konkretisht në zonën e Livadhjasë sipas kompanisë do të vendosen disa turbina.

“Projekti i nismës është realizimi i një centrali për prodhimin e energjisë elektrike nga burime eolike në territorin e rajonit të Sarandës, përkatësisht ne 6 impiante në Njësinë Administrative Livadhja (Bashkia Finiq), 17 impiante në Njësinë Administrative Markat (Bashkia Konispol) të tipit Gamesa G80 nga 2000 kW= 2 MW, me një fuqi totale prej 46 MW. Parashikon të prodhojë një sasi elektriciteti prej rreth 124 200 MWh/vit.

Turbinat janë trefletëshe me shpejtësi variabel dhe kontroll të fuqisë/momentit nëpërmjet rregullimit të hapit të fletëve, me një diametër të rotorit 80 m dhe lartësi të mocos të zgjedhur 78 m. Në majë të kullës prej çeliku ndodhet një kabinë prej materiali xhamrëshiror, brenda së cilës ndodhet gjeneratori elektrik asinkron trefazesh me polaritet të dyfishtë.

Fillimi i prodhimit të energjisë elektrike kryhet për një shpejtësi të erës 4 m/s ndërsa shkëputja ndodh për shpejtësi të erës 25 m/s. Zona përfshihet në një rajon me erëra, që ka një lartësi mesatare mbi nivelin e detit prej 750 metra dhe është ndarë në dy male të të njëjtit kompleks (Mali Mil dhe Mali Mëlleze).Kreshtat e të dy relieveve se bashku me territorin rrethues janë të thatë, aktualisht të destinuara për kullotat e bagëtive të imta” thuhet në dokument.

 

Energjia eolike

Në vendin tonë aktualisht energjia eolike është e pazhvilluar me projekte të vogla të miratuara për kapacitet deri në 3MW, projekte më të mëdha në kapacitet që ende janë në faza fillestare si dhe ankandet e qeverisë të cilat janë hapur vitin e kaluar.

Këto të fundit pritet të kenë një rezultat dhe shpallje fituesish këtë vit për kapacitetin e vënë në dispozicion nga qeveria e cila nuk do të ofrojë mbështetje  disi më të ndryshme sesa në raport me ankandet e energjisë fotovoltaikë.