BE në krah të Greqisë për emigrantët, Von der Leyen: Kush teston unitetin e Evropës, do të zhgënjehet

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen ka shprehur mbështetjen e saj për përpjekjet e Greqisë në sigurimin e kufijve të vendit, pas hapjes së këtyre të fundit nga ana e Turqisë për të lejuar kalimin e emigrantëve në Evropë.

Në një konferencë për shtyp pas turneut në kufijtë e rajonit me krerët e tjerë të BE, përfshirë kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis, Von der Leyen tha se Turqia nuk ishte armike, por ata që kërkojnë të testojnë unitetin e Evropës do të zhgënjehen.

“Situata në kufirin tonë nuk është një çështje që duhet menaxhuar vetëm nga Greqia, është përgjegjësi e Evropës në tërësi, dhe ne do ta menaxhojmë atë në një mënyrë të rregullt, me unitet, solidaritet dhe vendosmëri. Ata që kërkojnë të testojnë unitetin e Evropës, do të zhgënjehen. Ne do të mbajmë linjën, dhe uniteti ynë do të mbizotërojë. Tani është koha për veprim konkret dhe kthjelltësi, dhe vepruam bazuar në vlerat tona. Turqia nuk është armik dhe njerëzit nuk janë thjesht mjete për të arritur një qëllim”, tha Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Në fjalën e tij, kryeministri Grek Kyriakos Mitsotakis tha se Turqia po përdorte njerëzit për të promovuar axhendën e saj gjeopolitike.

“Ky nuk është më një problem i refugjatëve, kjo është një përpjekje e ashpër e Turqisë për të përdorur njerëz të dëshpëruar për të promovuar axhendën e saj gjeopolitike dhe për të larguar vëmendjen nga situata e tmerrshme në Siri. Mërgimtarët dhe refugjatët nuk mund të përdoren si instrumente, si shirita, në një lojë gjeopolitike”, kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis.

Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel i bëri thirrje Turqisë të respektojë marrëveshjen e 2016 me Bashkimin Evropian, në të cilën ra dakord të përmbante fluksin e emigrantëve në Evropë, në këmbim të miliarda eurove ndihmë. Ai tha se ishte e rëndësishme për Evropën që të mbrojë kufirin e saj, duke treguar respekt për të drejtën ndërkombëtare përfshirë të drejtat e njeriut.