Denoncimi i PD në Vlorë: Po shkulen palmat për të ndërtuar një karburant

Partia Demokratike në Vlorë ka denoncuar ndërhyrjet që po bëhen në Lungomare, ku janë shkulur edhe palmat, për të ndërtuar një karburant.

“Shkulja e palmave dhe vendosja e mjeteve dhe punonjësve të institucioneve të shtetit në shërbim të këtij ndërtimi privat është një akt keqpërdorimi i pushtetit.

Qytetarët e Vlorës shohin me dëshpërim krimin mjedisor dhe urbanistik që po ndodh në Lungomare! Shohin si shkulen palma për të ndërtuar një pikë karburanti”, shkruhet në reagim.

Më tej, dega e PD-së në këtë qytet reagon duke thënë se “për të ndërtuar Lungomaren u prishën banesa dhe biznese të qytetarëve vlonjat, por, për klientët e Ramës, prishet Lungomare!”

“Kur qytetarët janë të detyruar të mbyllen në shtëpi dhe të dëgjojnë koncertet e DJ Lelit, jashtë zotëron padrejtësia, jashtë dikush vendos “Fijen e Barit”, dikush Ndërton Karburant, një tjetër Pike Betoni në Buzë të Detit, e të tjera Vepra Abuzive.

Partia Demokratike Vlorë i bën thirrje Kryeministrit që të Rishikojë Vendimin e dhënë, pasi ai bie ndesh me Planin Urbanistik, Ligjet në Fuqi, Fjalën e Tij të Dhënë, dhe mbi të gjitha, me Interesat e Qytetarëve të Vlorës.

Nuk është ligjore, qytetare, njerëzore e morale që të bësh kundra një qytet të tërë për një Pikë Karburanti! Vetëm një njeri arrogant dhe i sëmurë për pushtetin e tij personal si Rama mund ta bëjë këtë!

Partia Demokratike Vlorë, ju bën thirrje Qytetarëve që të reagojnë fuqishëm për të mos e lejuar një masakër të tillë”, thuhet në reagim.