Integrimi në BE, Rama: Rregullat, më të rrepta për më “të vegjlit”

Kryeministri Rama e sheh mjaft pozitive për procesin e integrimit mbështetjen që iu dha Shqipërisë në Konferencën e Donatorëve.

“Në të gjithë këtë situatë të paqartë për ne, ajo që ndodhi në Konferencën e Donatorëve ishte e jashtëzakonshme dhe ishte një lehtësim mjaft i madh”, tha Rama në një aktivitet të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) dhe Forumi Ekonomik Botëror (WEF) për përshpejtimin e konkurrencës dhe inovacionit në Ballkanin Perëndimor.

Sa i përket zgjerimit të Bashkimit Europian, edhe pse vlerëson metodologjinë re, kreu i qeverisë nuk lë pa përmendur faktin se rregullat nuk janë njësoj për të gjitha vendet.

“Ka hapur një debat të mirë dhe ka sjellë disa ndryshime të rëndësishme në metodikën e anëtarësimit. Duket se janë të mira si për vendet ashtu edhe për unionin, ndoshta do ta bëjë procesin më të qartë dhe më të drejtë. Unë them ndoshta sepse djalli fshihet te detajet. Përvoja na ka treguar se për më të vegjlit dhe për më të dobëtit, rregullat nuk janë asnjëherë mjaftueshëm të respektuara, ndërsa për më të mëdhenjtë dhe më të pasurit ka gjithmonë një rrugë”, u shpreh Rama.