“Qershor, bilanci zero për turizmin në Sarandë, presim rritje të rezervimeve pas 15 korrikut”

Flet Ben Çipa, administrator i agjencisë “SipaTours”

 

Saranda është duke përjetuar një sezon dramatik të turizmit, ashtu sikurse është në tërësi situata në sektor. Ben Çipa, administrator i agjencisë “SipaTours” tregon se, pavarësisht se ka ulje të çmimeve në hotele, bilanci i qershorit ishte zero, ndërsa rezervimet për pjesën e parë të korrikut janë rreth 2% e kapacitetit akomodues total. Sipas tij, ka shpresë vetëm pas 15 korrikut, nëse do të hapen kufijtë, pasi tashmë ka një lloj interesi për rezervime në këtë periudhë nga polakët, italianët por edhe shtetas të tjerë europianë që rezervojnë përmes Booking në mënyrë individuale.

 

Si ka qenë situata me turizmin gjatë qershorit në Sarandë duke qenë se sapo nisi lëvizja pa kufizime?

Qershori ka qenë në nivelin zero, sikur të ishte muaji shkurt. Nuk kishte asnjë lëvizje dhe për këtë ka arsye. Së pari, linjat e tragetit nuk funksiononin dhe nuk funksionojnë ende. E dyta ishte një fazë parapërgatitje për korrikun, siç pritej, që shënon fillimin e sezonit. E treta për plazhet ende nuk ishte dhënë miratimi për t’i bërë ato gati.

Nisën aplikimet online dhe përgjigjet për certifikimin e subjekteve sipas kërkesave janë dhënë jo më larg se dy javë më parë, ndërkohë që një pjesë e mirë e subjekteve nuk kanë marrë dot lejen për mungesë dokumentacioni. Në masë, ky refuzim ka ardhur për shkak se nuk është paraqitur dëshmia e penalitetit.

Janë subjekte të tëra, që kishin shfrytëzuar hapësirën në breg me vite të tëra dhe për mungesë dëshmie penaliteti, që nuk është marrë për efekt kohe, janë penalizuar. Kjo ndarje me vonesë edhe e plazhit solli vonesa edhe në krijimin e infrastrukturës së nevojshme në bregdet për të nisur aktivitet menjëherë.

Po tani në korrik, si është lëvizja dhe nëse flasim për rezervime në një ditë normale, pra jo fundjavë sa për qind e kapacitetit të qytetit është e rezervuar?

Korriku ka një lëvizje shume të vogël. Do të thoja në nivelin 2% të kapacitetit. Të saktë nuk mund ta themi asnjëherë, por kjo është një e dhënë që ne e marrim në diskutime me njëri-tjetrin në sektor. Janë të gjithë pushues të Shqipërisë pra brenda territorit. Ka një tendencë të rritjes së punës sipas kërkesës që duket se do të jetë më aktive duke filluar nga 15 korriku kryesisht me turistë vendas, shtetas nga Kosova por edhe turistë të huaj të pavarur europianë.

Mendojmë se do të fillojmë normalisht rreth datës 20 korrik dhe do të vazhdojë ritmi edhe gjatë gushtit. Ka kërkesa për këtë periudhë, edhe përmes operatorëve edhe në mënyrë individuale, me rezervime në Booking. I vetmi problem është që në këtë situatë, nuk ka asgjë të sigurt. Nëse fillon lëvizja e lirë me BE në 15 korrik, mendoj se këto rezervime janë të sigurta dhe do të kemi disi më mirë në të kundërt edhe këto rezervime që po bëhen bien.

Po hapja me Greqinë kur do të bëhet, duke qenë se një pjesë e turistëve nordikë dhe polakë vijnë në Sarandë përmes aeroportit të Korfuzit?

Hapja me Korfuzin u shty për më 14 korrik dhe po presim. Aktualisht ne kemi të konfirmuar nga polakët, konkretisht nga Rainbow që të fillojmë me një numër modest turistësh pas mesit të korrikut. Kjo do të shihet me ecurinë e ofertave të minutës së fundit. Ne si operatorë u kemi përcjellë partnerëve tanë ndërkombëtarë garancinë se kemi marrë të gjitha masat sa i takon respektimit të protokolleve të sigurisë, si dhe veprimin në rast konstatimi të një rasti të prekur. Në lidhje me nordikët që vijnë nga Korfuzi, ne nuk presim që të kemi këtë grup turistësh këtë vit. Do të ketë një kontingjent turistësh të pavarur që vijnë nga vendet e Europës por nuk mund të themi me saktësi dhe siguri ç’do të ndodhë.

Pak javë më parë ju konfirmuat se nga ana e Shoqatës së Hotelierëve në Sarandë është rënë dakord për të bërë një ulje çmimi, si një mënyrë për te tërhequr klientelën potenciale. Sa është kjo ulje sot?

Ka një ulje të çmimeve, ashtu sikurse kemi rënë dakord më parë dhe kjo e kemi thënë që nuk është detyruese. Gjithsesi, pjesa më e madhe po e respektojnë në varësi të strukturës. Ka hotele që kanë bërë 10% ulje, ka të tjerë 20%, por nuk përjashtohen edhe rastet me ulje më të madhe se kaq.

Po lidhur me fqinjët, si qëndron sot Shqipëria sa i takon garës për sektorin dhe për të tërhequr turistët e huaj?

Grekët kanë një marketing agresiv dhe një strategji e tillë ka qenë gjithmonë përparësi. Ky është produkt i përpjekjes së qeverisë dhe grupeve të interesit. Fakti që ata që hapën kufirin më herët dhe e bënë për të fituar kohë dhe për të dhënë mesazhin që ne jemi gati dhe të sigurt dhe kjo funksionoi. Nuk është se Greqia është më mirë, por ama e hapi e para në Europë dhe është në avantazh.

Në Rodos dhe Korfuz kanë filluar charter-at me polakët, Bjellorusinë, Ukrainën dhe do vazhdojnë me gjermanët. Mendoj se lidhur me shifrat ne bëjmë shumë mirë që i deklarojmë, por ne i kemi dhënë shumë prioritet dhe sinqeritet, duke i trajtuar si lajm të parë kurse Greqia ka si lajm të parë promovimin.