Saranda me sytë nga Greqia, bizneset presin turistët e huaj dhe emigrantët
Jemi gati në fund të qershorit, kohë kur Saranda do të duhej të ishte në sezonin e lartë, kohë kur do të kulmonte turizmi, por në fakt kemi vetëm prani të banorëve vendas dhe banorëve të rrethinave të cilët po përdorin vetëm plazhet publike pasi plazhet private ende nuk janë vënë në dispozicion për qytetarët.
“Po e ndikon shumë koronavirusi dhe rastet e reja të shfaqura edhe në Sarandë dhe Delvinë. Nuk ka fare këtë vit është bosh edhe plazhi edhe shëtitorja.Normal që e prisnin më mire por është keq. Hapja e kufirit me Greqinë është e pasigurt. Nuk kemi asnjë lloj informacioni. Unë kam një biznes të vogël që po shkon shumë keq.”
“Bie shumë në sy që kemi pak vizitorë se unë shkoj shpesh në plazh dhe në krahasim me vitet e tjera. Pritshmëritë nuk na u realizuan dhe mendoj se pak vizitorë kanë ardhur edhe nga qytetet e tjera të Shqipërisë.”
“Deri tani nuk ka fare vizitorë, janë vetëm sarandiotët, pothuajse quhet sezon i dështuar. Ne qoftë se nuk do hapen kufijtë që të vijnë emigrantët të vijnë të huajt.” Çfarë do të ndodhë me prenotimet nëse do të ketë një shtyrje të çeljes së kufijve?
“Nëse kjo ndodh do jemi të gjithë të penalizuar. Saranda jeton vetëm me turizmin. Shpresojmë që gjërat të ndryshojnë.”
Që prej datës 1 korrik pritet që të çelet zyrtarisht kufiri me shtetin grek por agjencitë turistike ndihen shumë të pasigurta mbi atë që realisht do të ndodhë. Ka zëra që flasin për një shtyrje të mundshme të afatit të çeljes. Nëse kjo do të ndodhë sipas operatorëve do të rrezikohet i gjithë sezoni.
“Kemi hyrë në një fazë ku ne nuk ndihemi të sigurt absolutisht. Që prej datës 1 korrik presim hapjen e kufirit që të fillojmë aktivitetin, edhe homologët tanë brenda javës së parë dhe të dytë presin të fillojmë mirëpo mesazhet dhe sinjalet nuk janë aspak të mira dhe kjo po na shqetëson. Nëse puna nuk do të fillojë reagimi i tregut, klientëve dhe bizneseve do të jetë i tillë që ne nuk mund ta parashikojmë dot. Nëse do të kemi një shtyrje të afatit atëherë ne i humbasim shpresat se jemi të sigurt që më pas do të shtyhet sërish kjo do ishte shkatërruese. Nuk e kuptoj cili është ndryshimi mes 1 dhe 15 korrikut.
Nuk është një gjë që e shtroj unë si Arben por ka të bëjë me gjithë industrinë e turizmit që nga tragetet, fluturimet, turet e prenotuara. Kemi hyrë në një fazë irritimi dhe uroj që kjo të zgjasë vetëm pak ditë”, u shpreh Arben Çipa kreu i shoqatës së bizneseve të turizmit.
Nëse situata do të mbetet e njëjtë edhe për korrikun atëherë shpresat do të drejtohen vetëm te tregu vendas.