Greqia hap kufijtë për turistët, protokolle hyrëse me bar kod të veçantë

Turistët që vijnë në Greqi duke nisur nga 1 korriku do të duhet të mbushin një pyetësor në internet, 48 orë para dhe do të marrin një bar-kod që do të përcaktojë nëse ata duhet t’i nënshtrohen një testi depistimi pas mbërritjes së tyre.

Qeveria greke i dha fund këtë fundjavë testeve të depistimit të rastësishme për udhëtarët sipas vendeve të origjinës, që kishin shkaktuar konfuzion tek turistët.

Këta të fundit nuk e dinin nëse duhet të kalonin një natë në hotel për t’u testuar apo do të vendoseshin në karantinë pas mbërritjes së tyre që prej 15 qershorit në Athinë dhe Selanik.

Greqia, që nuk është goditur shumë rëndë nga koronavirusit, me 191 të vdekur, ka ndërmarrë një fushatë promovuese që parashikon rimëkëmbjen e turizmit, që përbën një të katërtën e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Qeveria vendosi një protokoll të ri duke u kërkuar udhëtarëve që të mbushin një pyetësor 48 orë para mbërritjes së tyre, me detajet personale, si vendi i tyre i origjinës. Ky pyetësor është i detyrueshëm deri më 31 gusht.