Ndërtimet në bregdet vetëm me PPP – Projektligji/ S’ka më leje ndërtimi në bregun e detit, në “sitë” kontratat ekzistuese
Qytetarët që disponojnë një pronë në bregdet nuk do të mund të zhvillojnë atë. Kjo sipas projektligjit “Për menaxhimin e integruar te zones bregdetare”, të nxjerrë për konsultim publik nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, që parashikon se pas hyrjes në fuqi të tij, do të ndalohet dhënia e lejeve të ndërtimit në bregun e detit.
Sipas të njëjtit dokument, lejet do të jepen vetëm për kontrata koncensionare apo të partneritetit publik privat, për investime strategjike apo ndërtime për infrastrukturë publike.
Ndërkaq, edhe për ndërtimet ekzistuese në bregun e detit, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, Agjencia Kombëtare e Bregdetit, që do të ketë edhe rolin kryesor që zbatimin e tij, do të kërkojë nga institucionet përgjegjëse verifikimin e dokumentacionit.
“Agjencia verifikon në bashkëpunim me institucionet përkatëse, kontratat në fuqi të dhëna në bregun e detit. Kontratat të cilat pas verifikimit rezultojnë të rregullta mbeten në fuqi deri në përfundimin e afatit”,-thuhet të mej në dokument, çka nënkupton se në rast parregullsish do të ketë edhe revokime, shkruan SCAN.
Gjithashtu, një nga detyrat e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit do të jetë pikërisht, ftesa, nxitja dhe bashkëpunimi me organizma, institucione, investitorë dhe aktorë të tjerë ndërkombëtare apo vendas, për pjesëmarrjen dhe përfshirjen në projektet dhe zhvillimet me rëndësi për menaxhimin e integruar të zonës bregdetare.
Ndërkaq, një tjetër ndryshim që sjell projektligji për pronarët e bregdetit lidhet edhe me shitjen e saj.
Sipas dokumentit, në rastet e shitjes së pronës private në bregun e detit, shteti ka të drejtën e parablerjes, ndërsa kriteret dhe procedurat do të përcaktohen me vendim qeverie.