Deputetja e Sarandes: Pasuritë e trashëgimisë kulturore të administrohen vetëm nga shteti

Në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit publik, u diskutua sot në parim projektligji “Për disa ndryshime në ligjin “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”, propozimi i deputetes së PD-së, Ina Zhupa

Kryetarja e komisionit, Flutura Açka, prezantoi propozimin e deputetes Ina Zhupa, njëkohësisht anëtare e këtij komisioni, duke shtuar se nismën e saj, nuk do të mund ta votonin dot për shkak se nuk kishin relacionet e komisioneve të tjera.

Në këtë mënyrë u procedua vetëm me prezantimin e diskutimin në komision.

“Nevoja për ndryshimin e Ligjit të Trashëgimisë Kulturore lindi në momentin kur në Kuvendin e Shqipërisë erdhi marrëveshja për administrimin e Butrintit. Nga marrëveshja pata mundësinë të shqyrtoja nga lindte mundësia për t’i dhënë një privati në administrim të plotë, një sit të Trashëgimisë Kulturore siç është Butrinti. Baza ishte ligji i vitit 2018 i Trashëgimisë Kulturore. Mendova që zgjidhja të ishte dërgimi në Gjykatën Kushtetuese, por kjo mund të bëhej vetëm brenda 2 viteve dhe për fajin tonë si opozitë, nuk është depozituar ky ligj në Gjykatën Kushtetuese, në kohën e duhur”, u shpreh deputetja Zhupa, në prezantimin e projektligjit te saj.

Projektligji i Ina Zhupës kërkon ndryshimin e neneve 171, 172, 173 që flasin për administrimin e pasurisë kulturore të Shqipërisë.

Sipas saj, këto nene janë antikushtetuese.

Deputetja Zhupa tha se dhënia e siteve si Butrinti, nuk ekziston në asnjë vend të botës, sepse ata zbatojnë Konventën e Parisit, të cilën e kanë miratuar.

“Unë si e djathtë mendoj se kur vjen çështja tek tregu, gjërat që bën privati më mirë, le t’i bëjë privati. Por kur bëhet fjalë për identitetin kombëtar, për trashëgiminë kulturore, nuk mund t’ia japim privatit, sepse nuk lejohet”, theksoi deputetja e PD-së.

Projektligji i propozuar sot në Komisionin e Edukimit dhe Mjeteve të Informimit,  synon që pasuritë e trashëgimisë kulturore të administrohen drejtpërdrejtë dhe ekskluzivisht vetëm nga shteti. Në këtë mënyrë garantohet ruajtja e pasurisë së trashëgimisë kulturore nga institucione publike, duke garantuar që të ardhurat prej tyre, të arkëtohen në buxhetin e shtetit.

“Ju kërkoj deputetëve të pozitës të mos tremben sepse ligji nuk ka fuqi prapavepruese”, tha Zhupa, duke premtuar që betejën për Butrintin, opozita do ta vazhdojë në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa ky projektligj bën fjalë për të ardhmen.