Kërkoi favore seksuale në këmbim të kalimit në Greqi, shkarkohet polici maniak në Kakavijë
Shkarkohet nga detyra punonjësi i policisë i cili kërkoi seks në këmbim të kalimit ilegal në Greqi.
Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së hënës një punonjës të Policisë së Shtetit, me detyrë në pikën e kalimit kufitar në Kakavi, Gjirokastër, i cili u ka kërkuar disa qytetareve marrëdhënie intime në këmbim të kalimit të tyre ilegal në Greqi.
Ndërkohë, pak minuta pas denoncimit nga mediat, ka ardhur edhe reagimi nga ana e policisë, e cila njofton shkarkimin e punonjësit nga detyra.
Nëpërmjet kamerave të fshehta, emisioni investigativ faktoi se punonjësi ka lidhje të forta me grupet kriminale që trafikojnë njerëz për në Greqi. Duke shfrytëzuar këto lidhje, punonjësi u kërkon favore këtyre shtetasve.
Njoftimi i policisë
Policia e Shtetit
Duke marrë shkas nga transmetimi në një emision investigativ, i shkeljes së rëndë të kryer nga punonjësi i Policisë P. Ç., trup shërbimi në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Gjirokastër, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit beri përjashtimin e menjëhershëm të këtij punonjësi policie nga radhët e Policisë së Shtetit.
Policia e Shtetit falënderon median dhe qytetarët dhe i inkurajon ata që të denoncojnë çdo abuzim me detyrën, nga punonjësit e Policisë, duke i garantuar reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm.